Ky moment kishte mbetur më shumë se dy dekada prapa. Arsenali e priste prej 22 vitesh një titull në Premier Ligën angleze, që nga epoka e madhe e “Të Pathyeshmëve” të trajnerit Arsen Venger, dhe më në fund kujtimet e tifozëve nuk do të jenë më vetëm videot e dikurshme.
Ata brohoritën fort mbrëmjen e fundit në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit britanik, Londër, pasi skuadra e tyre u shpall përsëri kampione e vendit. “Topçinjtë”, që gjithashtu festuan të mbledhur së bashku, ia dolën për herë të parë që nga 2004-ra, pasi Mançester Siti nuk mundi të fitonte në fushën e Bornmuthit.
Barazimi 1-1 bëri që diferenca e Arsenalit me ish-kampionët të jetë 4 pikë, kur mbetet edhe vetëm një javë për t’u luajtur. Pakkush dyshonte që skuadra e Pep Guardiolës nuk do t’ia dilte ndaj rivalit modest, edhe pse luhej jashtë fushe.
Gjithsesi, Bornmuthi luftoi për vete, sepse barazimi I siguroi pjesëmarrjen në Europë për herë të parë në historinë e tij. Ku do të luajnë sezonin e ardhshëm të mbiquajturit “qershitë”? Mund të jenë edhe në Champions, edhe në Ligën e Europës, edhe në Ligën e Konferencës, kjo do të varet nga rezultatet e javës së 38-të në Premier Ligë.
Krupi I dha avantazhin në 38’, ndërsa Siti edhe pse u përpoq vetëm mundi të barazonte në minutën e katërt shtesë, pra fare në fund. Dueli papritur ishte thuajse qind për qind I barabartë.
Bornmuthi i dha edhe titullin Arsenalit, pra “nxënësi” Mikel Arteta mundi ish-“mesuesin” e tij, Guardiola. Festa nga ana e futbollistëve londinezë dhe e tifozëve të tyre ishte krejt e ligjshme dhe e merituar. Trofeu do të ngrihet të dielën e 24 majit në stadiumin e Kristël Palasit./abcnews.al


