Nga 1 korriku policia po zhvillon në rang kombëtar aksioni anti-informalitet kryesisht në zonat bregdetare, ku ndëshkimit nuk i kanë shpëtuar as punonjësit të administratës për shpërdorim detyre. Sipas Drejtorit për Krimin Ekonomik Lutfi Minxhozi mes të ndaluarve ishte edhe Kryetari i Njësisë Administrative Dërmënas, në Fier Dilaver Shyti.
Nga nisja e aksionit kundër informalitetit në fillim të korrikut, kryesisht në zonat bregdetare dhe qendrat e tjera turistike të vendit, janë arrestuar dhe proceduar 30 punonjës të administratës për shpërdorim detyre.
Drejtori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Drejtorinë e Policisë, Lutfi Minxhozi njoftoi se mes të ndaluarve ishte edhe kryetari i njësisë administrative Dërmenas në Fier Dilaver Shyti.
“Janë proceduar penalisht 30 zyrtarë të administratës për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, nga të cilët: 23 nëpunës të bashkive; 3 nëpunës të sistemit fiskal;4 nëpunës të Drejtorive Rajonale të Punësimit. Nga nëpunësit e proceduar penalisht, 5 prej tyre janë arrestuar në flagrancë, konkretisht. Kryetari i një Njësie Administrative, Bashkia Fier;4 punonjës të Tatim-Taksave, në Bashkinë Shkodër. Në 80 raste, për subjekte të ndryshme janë marrë masa administrative nga Tatimet duke vendosur gjoba. Në 15 raste, organet tatimore kanë vendosur bllokimin e aktivitetit të bizneseve të paligjshëm”, tha Minxhozi.
Për të zbuluar subjekteve në shkelje të ligjit, Minxhozi theksoi se policia po bashkëpunon edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Doganave dhe Pushtetin Vendor.
“Në zbatim të këtij plani të posaçëm në shkallë vendi janë ushtruar kontrolle në 801 subjekte të ndryshme, nga të cilët 467 shërbime vend-pushimesh me shezlong, 162 lokale në bregdet, 83 hotele, 24 ndërtime pa leje, 4 raste për territore të pushtuara dhe në pika shpërndarëse të karburantit. Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar 89 subjekte në shkelje të ligjit dhe të gjithë përfaqësuesit e tyre janë proceduar penalisht për veprat penale: fshehja e të ardhurave, mos lëshim i kuptonit tatimor, ushtrim aktiviteti tregtar i paligjshëm, mospagim i taksave dhe i tatimeve, ndërtim i paligjshëm etj., të cilat ndiqen në bashkëpunim me Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore përkatëse”, tha ai.
Fokusi përveç informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, Minxhozi paralajmëroi edhe punonjësit e tjerë të administratës se do të ndëshkohen sipas ligjit, nëse nuk raportojnë ndërtimet pa leje dhe zaptimin e hapësirave publike.
“Gjatë këtij operacioni masash, përveç parandalimit, evidentimit dhe ndëshkimit të subjekteve, vëmendja kryesore e strukturave të Policisë së Shtetit do të përqendrohet në zbulimin, dokumentimin dhe procedimin penal të çdo zyrtari bashkie, Tatimesh, IQT, Dogane, Punësimi etj., të cilët me dashje nuk kanë kryer detyrën për kontrollin e territorit, por kanë lejuar informalitetin, ndërtimet pa leje, ushtrimin e aktiviteteve të tregtisë së paligjshme, ushtrimin e aktivitetit tregtare pa kasë fiskale, shmangie doganore, në interes të tyre ose të personave të tretë, duke i sjellë dëme të konsiderueshme mjedisit, qytetarëve, bizneseve të ligjshme, nëpërmjet lejimit të konkurrencës së pandershme si dhe kanë sjellë dëme të konsiderueshme Buxhetit të Shtetit”, deklaroi Minxhozi.
Në aksionin anti-informalitet në 12 qarqet e vendore janë angazhuar më shumë se 100 efektive e policie./ABC News Albania 24/7