Katër shqiptarë janë arrestuar nga policia në Serbi. Lajmin e konfirmoi ministria e Brendshme në Beograd. Ata akuzohen për “nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.”
Ministria e brendshme e ka nxjerrë videon e aksionit edhe në faqen e tyre zyrtare.
“Në gjurmët” e policisë shqiptarët ranë pasi një prej të ndaluarve e kishte publikuar videon në rrjetet sociale ku shfaqet me një bluzë me hartën e “Shqipërisë së Madhe”, duke udhëtuar në një autostradë në Serbi, me një automjet “Audi” së bashku me tre personat e tjerë.
Shqiptarët akuzohen se kanë përdorur fjalë të papërshtatshme ndaj Republikës së Serbisë.
Ngjarja ka ndodhur në ditën e përkujtimit të fillimit të bombardimeve të NATO-s, çka, sipas autoriteteve, e rëndon edhe më tej situatën.
Të ndaluarve u është komunikuar masa e paraburgimit deri në 48 orë, pas së cilës do të dalin para Prokurorisë Publike në Beograd.


