Arrestimi nga SPAK i pedagogut të Korçës, flet “mbrojtësi”: Profesori nuk ka asnjë dijeni për ngjarjen

schedule11:10 - 24 Shtator, 2020

schedule 11:10 - 24 Shtator, 2020

Pas arrestimit të pedagogut të Universitetit të Korçës Alket Dino, ka folur avokati i tij Nevzat Tarelli i cili ka deklaruar se i mbrojturi prej tij nuk ka asnjë dijeni për akuzën që i atribuohet.

Avokati deklaroi për ABC News se hetimet për rastin kanë filluar nga SPAK dhe janë finalizuar ditën e djeshme me anë të një agjenti të infiltruar.

Sipas avokatit të Dinos, profesori ka qenë kontakt për një arsye tjetër me të akuzuarin si sekser Xhevair Dervishi, për shkak të një interesi të profesorit për marrjen e një shtëpie me qira në agjensinë imobiliare që Dervishi disponon.

Në momentin e ndalimit dhe pas kontrollit fizik, avokati theksoi se Dino nuk ka patur asnjë monedhë euro ndërsa theksoi se rezultatet e provimit janë mbyllur një javë përpara se të kryheshin veprimet e ditës së djeshme.

“Alketi është ndaluar mbrëmë dhe jo sot për shkak të një hetimi të filluar nga SPAK i filluar 1 muaj më parë. Dje kanë proceduar me kryerjen e një veprimi stimulues me anë të një agjenti të infiltruar. Bëhet fjalë për një studente e cila ka pasur një provim të ngelur dhe janë kryer veprime të stimuluara përmes një personi tjetër që tashmë është i njohur publikisht, është Xhevair Dervishi.

Agjenti pretendohet se ka marrë komunikim me këtë person të cilit dhe i ka premtuar lekë. Ndërkohë që në momentet e arrestimit i mbrojturi prej meje nuk ka pasur asnjë nga të hollat e përdorura në veprimin stimulues, një pjesë e lekëve janë gjetur tek personi tjetër, një pjesë nuk janë gjetur.

Ne jemi në pozita mohuese. Është i vërtetë fakti se dje ka pasur kontakt mes Xhevairit dhe profesorit por ka qenë kontakt për një arsye tjetër, për shkak të një interesi të profesorit për marrjen e një shtëpie me qira që Xhevairi është pronar i një agjencie imobiliare në fushën e banesave. Ky fakt është provuar dhe në shpjegimet që kemi dhënë ky takim është pikërisht për këtë.

Çfarë ka ndodhur mes agjentit të infiltruar dhe Xhevairit është pjesë që duhet ta zgjidhin ata dhe jo ne. Profesor Alketi është pozicionuar qartë dhe nuk ka lidhje me asnjë rast të tillë aq më pak për rastin në fjalë për të cili edhe është arrestuar, klienti im mban një pozitë kategorikisht mohuese.

Për më tepër që rasti i studentit ku pretendohet se është paguar me veprimin stimulues, 500 euro për një provim, në momentin e kontrollit fizik të profesorit nuk është gjetur asnjë monedhë euro.

Është  gjetur vetëm një sasi lekësh shqiptare që i mbajmë gjithsecili përditë në xhepa. një pjesë e eurove pretendohet se është gjetur në xhepin e Xhevairit. Rezultatet e provimit janë mbyllur një javë përpara se të kryheshin veprimet e ditës së djeshme, nuk ka asnjë mundësi për ndërhyrje në sistem.

Që të ndryshohet rezultati duhet të mblidhet komisioni, duhet të rijepet provimi, duhet të kalojë në gjithë filtrat që ka universiteti dhe më pas të ndërhyhet në sistemin elektronik, gjë që është e pamundur.

Pra edhe sikur profesori të donte të ndihmonte studenten për të cilën është proceduar nuk ka asnjë mundësi objektive. Ky është një argument i fortë në funksion të pretendimit që ai shprehet se nuk di asgjë për rastin. Mund të jetë përdorur emri i tij nga persona të tjerë kjo është çështje tjetër,  ndërsa profesori nuk ka asnjë dijeni për rastin”, u shpreh avokati.

N.D./abcnews.al