Armando Sadiku në Spanjë, sfida e parë kundër Realit të Madridit

schedule14:11 - 31 Janar, 2018

schedule 14:11 - 31 Janar, 2018

Transferim i bujshëm i njërit prej lojtarëve më të mirë të kombëtares shqiptare. Armando Sadiku shkon tek Levante, në kampionatin më të fortë të botës, atë të Spanjës.

Le t’i gëzohet fanelës së tij të re.
Armando Sadiku arrin një kulm në karrierë dhe transferohet në atë që mund të quhet kampionati më i fortë i botës, La Liga e Spanjës.
Skuadra e tij e re quhet Levante dhe sulmuesi i kombëtares shqiptare shkon atje me ngritje të madhe, pas vështirësive që pati në Poloni me Legian e Varshavës.
Levante e bëri përshëndetjen në shqip, “Sadiku mirësevini”, ndërsa lojtari firmosi kontratë deri në vitin 2020.

Besohet se klubi spanjoll ka paguar 1 milionë euro për kartonin e tij, një rritje pas 750 000 eurove të paguara nga polakët.
Futbollisti 26-vjeçar bëhet i dyti i kombëtares shqiptare që shkon në La Liga, në gjithë historinë e këtij kampionati.
I pari ishte Valdet Rama, i cili luajti për Vajadolidin në vitet 2013-2014.

Djaloshi nga Cërriku do të bashkohet në ekip me një tjetër shqiptar, atë të Maqedonisë, Enis Bardhi, i cili ka bërë përshtypje shumë të mirë duke shënuar gola spektakolarë.
Transferimi në Spanjë është një sfidë e madhe për sulmuesin, pasi ai do të përfitojë shumë në një nivel të tillë kaq të lartë, por edhe do të ketë një provë të madhe, ku duhet të kapërcejë konkurrencën dhe të bindë trajnerin.

Sadiku është shënuesi kryesor i kombëtares shqiptare, tani për tani, me 11 gola të realizuar në 32 ndeshje dhe besohet se mund ta thyejë rekordin e Erion Bogdanit, që ka realizuar 19 herë me fanelën kuqezi.

Njëzetegjashtëvjeçarit i takoi nderi të shënonte golin kualifikues për në Euro 2016, atë në fushën e Armenisë, dhe po ashtu edhe golin e parë dhe të vetëm shqiptar në finalet e Europianit, në suksesin 1-0 ndaj Rumanisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!