Në Forumin e Dytë të Inovacionit, Kryeministri Edi Rama prezantoi hapat e radhës për zhvillimin e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në Shqipëri, përfshirë projekte pilot në shëndetësi, mjedis e bujqësi. Ndër prioritetet kryesore janë integrimi i programit të Inteligjencës Artificiale si i detyrueshëm për administratën publike dhe zhvillimi i sistemit të parë të prokurimeve me AI.
Qeveria synon gjithashtu rritjen e granteve, shtrirjen e qendrave digjitale në të gjithë vendin dhe fuqizimin e mbrojtjes kibernetike ku Shqipëri mban pozicion kryesues. Me një rritje prej 40% të aplikimeve në e-Albania, teknologjia po shihet si një mundësi kyçe për të rinjtë, ku vihet re veçanërisht pjesëmarrja e lartë e vajzave.
“Kemi në plan të bëjmë disa pilotime në sektorin e shëndetësisë, mjedisit dhe të bujqësisë në mënyrë që të rrisim nivelin e përdorimit në këta sektorë kyçë. Jemi në një proces shumë kyç me Fondin Amerikan. Talentet e teknologjisë gjenden në zona me më pak mundësi, më të rinjtë e shikojnë teknologjinë si një mundësi për të fluturuar. Shtrirja e këtyre qendrave do të jetë diçka shumë pozitive si ajo e laboratorëve inteligjentë nëpër shkolla. Përmes teknologjisë do të ketë shërbime shumë të shpejta. Kemi një rritje të qëndrueshme të të rinjve që merren me teknologji dhe numri i vajzave që merren me teknologji është një nga më të lartit në Europë.
Programi për Inteligjencën Artificiale do të hapet për individët dhe do të bëhet i detyrueshëm për administratën publike. Administrata të ketë në dispozicion një asistencë të kualifikuar. Ndërkohë do të shtojmë grantet për teknologjinë. Ngritja e Shqipërisë në nivelin më të lartë të mbrojtjes kibernetike, ku Shqipëria rankohet në vendin e parë. Ky është bekimi i teknologjisë, sepse të jep të bësh kapërcime.
Ne na u desh një sulm i egër për infrastrukturën tonë digjitale për të marrë masa dhe për të pasur sot një modul shumë të avancuar të mbrojtjes nga sulmet kibernetike. Është shumë e rëndësishme që edhe sektori privat të marrë masa sa më herët për të marrë masa. Aktualisht jemi në një rritje të vazhdueshme të aplikimeve në platformën e-Albania, kemi një rritje prej 40%. Jemi duke punuar intensivisht për të ndërtuar të parin program publik të prokurimeve publike me AI”, tha Rama.

