Nga Tommaso Grossi dhe Francesco De Angelis “Politico.eu”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Historiani Donald Sassoon e kishte quajtur një “anomali italiane” mungesën e pretenduar të pjekurisë nga ana e klasës politike, për të cilën ankohen shumë ekspertë dhe intelektualë italianë. Problemet e shumta me të cilat përballet vendi, identifikohen shpesh si pjesë e kësaj “veçantie italiane”, që mesa duket e pengon Italinë të funksionojë si demokracitë e tjera perëndimore.
Nga ana tjetër, shpjegon edhe dëshirën e tij historike për të pasur në krye një udhëheqës të fortë. Dobësitë institucionale të Italisë, të shoqëruara nga një strukturë elektorale, që parandalon formimin e shumicave parlamentare të qëndrueshme, kanë çuar në një ndryshim tjetër nga fqinjët e saj: kryeministrat teknokratë të profilit të lartë, thirren në një moment nga udhëheqësit e partive politike që grinden midis tyre në kohë të trazuara.
Megjithatë, kthimi i vëmendjes tek teknokratët në këtë mënyrë, e shkatërron paktin civil që duhet të lidhë sundimtarët dhe të sunduarit së bashku në një demokraci, në një kohë që rrezikon të ngjallë pakënaqësi populiste. Dhe tashmë duket se nuk ka më kohë.
Politika italiane duhet të ndryshojë qasje për të ecur më në fund përpara. Kur Italia po tronditej nga një krizë e monedhës vendase, lirës, korrupsioni dhe aktet terroriste nga ana e mafias në vitin 1993, kryeministër u zgjodh Carlo Azeglio Ciampi, ish-drejtues i Bankës Qendrore.
Lamberto Dini pasoi në vitin 1995 qeverinë e parë të Silvio Berlusconit. Ekonomisti i njohur ndërkombëtarisht Mario Monti u thirr në vitin 2011 për të krijuar qeverinë e cila vendosi masa shtrënguese për të “shëruar” financat publike të Italisë.
Ndërkohë vitin e kaluar presidenti Sergio Mattarella iu drejtua Mario Draghit, duke emëruar në krye të qeverisë një nga njerëzit më të besueshëm jashtë politikës partiake, për ta drejtuar Italinë jashtë krizës ekonomike të shkaktuar nga 2 vite pandemi.
Dhe strategjia e Mattarella-s kishte kuptim. Emërimi i Draghi-t ishte një mesazh i qartë për partitë dhe fraksionet politike, se rreziqet ishin shumë të mëdha, dhe nuk mund të vazhdohej si zakonisht me zënkat e pafundme partiake që bllokonin vazhdimisht reformat e nevojshme.
Italia duhej të përshpejtonte procesin e vaksinimit kundër Covid-19, dhe të fillonte të ndërmerrte disa reforma kyçe për ta modernizuar vendin, dhe për të pasur qasje në fondet e rimëkëmbjes që do të lëvroheshin nga Bashkimi Evropian për vendet anëtare sipas nevojave përkatëse.
Rreziqet ishin të shumta edhe për Evropën, pasi suksesi ose dështimi i Italisë në zbatimin e reformave në funksion të rimëkëmbjes ekonomike, mund të përcaktojë të ardhmen e solidaritetit financiar në mbarë bllokun.
Por pavarësisht disa arritjeve, shumë reforma të paraqitura nga qeveria e koalicionit e Mario Draghi-t u minimizuan në fushëveprimin e tij dhe kjo për të kënaqur interesat e fraksioneve politike. Dhe megjithëse deri këtë muaj u ruajt një fasadë e unitetit kombëtar, shumë nga mosmarrëveshje vazhduan të vlonin në prapaskenë.
Në fjalimin e tij të mbajtur në Senatin italian javën e kaluar, pas krizës së shkaktuar nga Lëvizja Pesë Yjet, Draghi akuzoi disa anëtarë në koalicionin e tij ndërpartiak, se po përpiqeshin ta rrëzonin atë, duke kërkuar nga të gjitha fraksionet politike të ri-angazhoheshin për të punuar së bashku.
Por ndërsa partitë e ekstremit të djathtë dhe të krahut të djathtë po shihnin një avantazh të dukshëm në sondazhe, që po i afrohej nivelit 50 për qind të marrë së bashku, ishte vetëm çështje kohe përpara se ato – apo Lëvizja Pesë Yjet, qëllimet e së cilës nuk ishin të qarta – të vepronin për ta rrëzuar qeverinë Draghi.
Një mundësi e tillë nuk duhej humbur. Kur Draghi u emërua kryeministër në fillim të vitit të kaluar, historiani Adam Tooze shkroi se demokracitë mund ta kenë të vështirë të jetojnë pa teknokratë, por ato nuk do të na shpëtojnë, dhe sigurisht, nuk do ta shpëtojnë Italinë.
Draghi largohet duke lënë pas shumë punë të papërfunduara, të cilat qeveria e tij e koalicionit nuk mundi ose nuk donte që t’i kryente. Reformimi i sistemit të taksave, ligjit të konkurrencës dhe i sistemit gjyqësor, si dhe vendosja e pagës minimale, mbrojtja për familjet me të ardhura të ulëta, janë të gjitha çështje me të cilat do të duhet të përballet qeveria e ardhshme, që me shumë gjasa do të jetë e ekstremit të djathtë.
Natyrisht, statura e Mario Draghit i dha mundësi Italisë që të fitonte shumë ndikim politik dhe besueshmëri si në Bruksel po ashtu edhe në skenën ndërkombëtare. Por Draghi mund të kishte bërë më shumë brenda vendit, për të trajtuar problemet kryesore sociale.
Sigurisht, zgjedhjet e reja parlamentare do të mbaheshin gjithsesi vitin e ardhshëm siç ishin programuar që në fillim të vitit 2021. Por tani që po mbahen pas më pak se 2 muajsh, e djathta ekstreme është gati që të përfitojë nga situata e vështirë dhe pakënaqësia e shumë italianëve.
Megjithatë, këtu duhet nxjerrë një mësim në planin afatgjatë. Ai është se Italia duhet të jetë më pak anormale. Se ajo duhet të zhvillojë një kulturë të re politike më të zgjuar, e cila të synojë të stabilizojë politikën e saj, dhe jo të prodhojë vazhdimisht justifikime të reja për shanset e humbura dhe për dështimin në mbajtjen e premtimeve.
Shënim:Tommaso Grossi, analist i politikave në Programin e Evropës Sociale dhe Mirëqenies në Qendrën e Politikave Evropiane. Francesco De Angelis, analist i politikave për Programin e Ekonomisë Politike të Evropës në këtë qendër.


