Mosmarrëveshjet tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë mund të krijojë mundësi të reja për Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian, vlerësojnë shoqatat gjermane të tregtisë. Sipas tyre, vështirësimi i aksesit të kompanive kanadeze në tregun amerikan mund t’i shtyjë ato të kërkojnë tregje alternative.
“Evropa mund të përfitojë nga kjo”, tha Volker Treier, përgjegjës për tregtinë e jashtme në Dhomën Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK).
Sipas tij, nëse kompanitë kanadeze përballen me pengesa më të mëdha në SHBA, interesi i tyre për tregjet evropiane pritet të rritet. Treier theksoi se BE-ja ka tashmë një bazë të rëndësishme për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike me Kanadanë përmes marrëveshjes tregtare CETA.
Marrëveshja hyri përkohësisht në fuqi në vitin 2017 dhe që atëherë tregtia e mallrave mes BE dhe Kanadasë është rritur me 76 për qind. Megjithatë, sipas Treier, potenciali i marrëdhënieve tregtare nuk është shfrytëzuar ende plotësisht.
Kjo mund t’u japë kompanive evropiane dhe veçanërisht atyre gjermane hapësirë për të rritur eksportet dhe për të forcuar pozicionin e tyre në tregun kanadez. Edhe Dirk Jandura, president i Shoqatës Gjermane të Eksportuesve (BGA), sheh mundësi të reja.
“Tashmë po shfaqen shenja të qarta se Kanadaja po orienton më shumë eksportet e saj drejt tregjeve jashtë SHBA-së”, tha ai.
Të dhënat e “Statistics Canada” tregojnë se eksportet kanadeze drejt vendeve të tjera, jashtë SHBA, u rritën për të tretin muaj radhazi në korrik. Ato arritën një rekord prej 25,6 miliardë dollarësh kanadezë, rreth 18,6 miliardë dollarë amerikanë. Mosmarrëveshja mes Uashingtonit dhe Otavës është përshkallëzuar me vendosjen e masave tregtare nga të dyja palët.
Sipas urdhrave ekzekutivë të presidentit amerikan Donald Trump, nga 29 shtatori disa produkte kanadeze, përfshirë produkte të caktuara të qumështit, pije alkoolike dhe motoçikleta, nuk do të lejohen të importohen në SHBA.
Ndërkohë, tarifat hakmarrëse të Kanadasë ndaj importeve amerikane hynë dje në fuqi. Masat kanadeze prekin produkte të sektorëve të çelikut dhe aluminit, pajisje elektroshtëpiake, makineri bujqësore, letër, si dhe produkte elektronike. Për Gjermaninë dhe Evropën, përplasja tregtare mund të shndërrohet kështu në një mundësi për të zgjeruar marrëdhëniet ekonomike me Kanadanë dhe për të fituar pjesë më të madhe të tregut.

