Analistët në Serbi mendojnë se vrasja e Oliver Ivanoviç është nëj atentat i qartë politik nga ata që kanë objektiv të ruajnë një konflikt të ngrirë në këtë pjesë të rajonit.
Lamtumira për Oliver Ivanovic është fillimi i një etape të re politike në Ballkan. Pas vrasjes së tij qëndrojnë ata që nuk duan zgjidhe për problemet. Vlerësimet nga Beogradi thonë se porositësit e kësaj vrasjeje kanë qenë me mision.
Analisti ushtarako-politik, Aleksandër Radiç, thotë vrasja e Ivanoviç është shembull shkollor i atentatit politik.
Aleksandër Radic, analist: “Është e qartë që edhe mes serbëve dhe shqiptarëve në shoqëri ekzistojnë struktura paralele kriminalo patriotike. Këtë e sheh edhe Perëndimi tashmë pasi pas luftërave kanë ngelur struktura që kanë forcuar pozitën në shoqëri dhe nuk heqin dorë pasi marrëdhëniet e mira serbo-shqiptare nënkuptojnë humbje të mëdha të buxhetit për krimin e organizuar”.
Historia e Oliver Ivanoviç ka nxitur shumë teori konspirative. Në media të shumta duken fajtorët dhe po aq ata që shprehin ngushëllime. Inkuadrimi i strukturave serbe në hetime, thonë analistët, mund ta ndihmonte procesin e hetimit.
Jaksha Shçekiç, si analist thote se është interesante shtrirja ballkanike e tensioneve. Vdekja e Ivanoviç sjell boshllëk politik.
Jaksha Shçekiç, analist: “Atentat politik në stilin e mafias. Ivanoviç ka qenë person që nuk donte të merrte pjesë në pislliqe dhe ka ruajtur identitetin e tij. Vrasja e tij është sulm edhe ndaj dialogut dhe integrimit evropian dhe u leverdis vetëm atyre që për zgjidhje kanë idenë e një konflikti të ngrirë”.
Ivanovic do të varroset në mesditë në varrezat e figurave historike duke lënë pas pritjen e përgjigjes së një pikepyetje të madhe për kronikën e vdekjes së paralajmëruar./abcnews.al
Gazetar i ABC News, Idro Seferi