Vendoret/ Yuri Kim takon Gjiknurin, Alibeajn dhe Metën

schedule13:00 - 8 Mars, 2023

schedule 13:00 - 8 Mars, 2023

TIRANË – Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, nisi sot një sërë takimesh me drejtues të partive politike kryesore në vend.

Takimet nisën në selinë e PS, ku për rreth 45 minuta, ambasadorja Kim zhvilloi një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të PS Damian Gjiknuri. Ai ka zbardhur takimin me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë Yuri Kim. Numri dy i socialistëve bën me dije se zgjedhjet e 14 Majit, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral ishin në qendër të diskutimit.

“Pata kënaqësinë të mikprisja në selinë e Partisë Socialiste ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë zonjën Yuri Kim. Zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 Majit, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral ishin në qendër të diskutimit. E garantova ambasadoren për vendosmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar aktivisht për një proces zgjedhor në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Si gjithnjë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten në krah të Shqipërisë në përpjekjen për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme”, shkruan  Gjiknuri në Facebook.

Axhenda e takimeve ka vijuar në zyrën e Enkelejd Alibeajt, kreut të komanduar të PD-së, në zyrën e Kryesisë së Kuvend. Edhe në këtë takim, zgjedhjet e 14 majit, si edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR ishin në fokus të bisedës.

Gjithashtu edhe Enkelejd Alibeaj, ndau në rrjetet sociale detaje të takimit me ambasadoren amerikane.

“Gjatë një takimi të frytshëm dhe miqësor me ambasadoren e SHBA në Tiranë prekem temat që lidhen me zhvillimet më të fundit në vend për t’u ndalur më gjatë tek ato të zgjedhjeve vendore të 14 Majit. Diskutuam për rekomandimet e ODIHR, shqetësimet mbi përdorimin e administratës dhe pastërtinë e kandidatëve.  Shqetësime këto të ngritura dhe më parë nga opozita dhe që kanë shoqëruar problematikën e proceseve të fundit zgjedhore në Shqipëri.

Në emër të PD garantova ambasadoren e SHBA për vullnetin e mirë tonin për t’u përfaqësuar denjësisht në këto zgjedhje duke zbatuar rekomandimet e ODIHR, duke ndarë me të shqetesime të ndryshme përfshirë dhe rolin e medias, para dhe gjatë fushatës elektorale. Në fund të bisedës e falenderova për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të zhvillimeve demokratike.” shkruan Alibeaj.

Po sot ambasadorja amerikane Yuri Kim shkoi edhe në zyrën e Ilir Metës, ndërsa në fokus te bisedes pritet gjithashtu te jene zgjedhjet e 14 majit. r.t/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!