Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka deklaruar se vendimi për çështjen e gazit amerikan i takon Qeverisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e garantimit të furnizimit të qëndrueshëm me energji për qytetarët dhe ekonominë.
I pyetur për këtë çështje, Westerlund tha se nuk dëshiron të japë vlerësime se cila zgjidhje është më e mira, duke ia lënë këtë vendimmarrje institucioneve të Kosovës dhe negociatave me partnerët ndërkombëtarë.
“Nuk kam ndonjë qëndrim të fortë për këtë çështje. I takon Qeverisë së Kosovës ta marrë atë vendim. Sigurisht që është e rëndësishme për çdo qeveri të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji. Mund të zgjidhen rrugë të ndryshme për ta arritur këtë, por mendoj se është shumë e rëndësishme që qytetarët dhe ekonomia të kenë një furnizim të qëndrueshëm me energji. Ka mënyra të ndryshme për ta realizuar këtë dhe unë nuk do të komentoj se cila është më e mira. Këtë do t’ia lë qeverisë dhe negociatave të saj me aktorët ndërkombëtarë. Është për të ardhur keq që kjo situatë po vazhdon prej një kohe të gjatë. Ajo pengon promovimin e tregtisë dhe zhvillimin ekonomik, prandaj përbën një sfidë”, tha Westerlund për mediat në Kosovë.



