Alibeaj: Vettingu konfirmon gjyqtarë të kapur me përgjime në afera

schedule15:26 - 26 Korrik, 2018

schedule 15:26 - 26 Korrik, 2018

Vijojnë denoncimet nominale të selisë blu ndaj asaj që qeveria konsideron “pastrim të pallatit të drejtësisë” përmes procesit të vettingut. Sa kohë kryeministri hesht për të mbrojtur gjyqtarët e korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, transparenca, sipas nënkryetarit të grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, mbetet detyrë e opozitës.

Ne po bëjmë transparencë për një prej rasteve flagrante. Gjyqtari Ilir Toska, kandidat i Edi Ramës për Këshillin e Lartë Gjyqësor është vlerësuar nga institucionet përgjegjëse dhe shërbimet inteligjente si i papërshtatshëm me detyrën dhe duhet shkarkuar nga organet e vettingut”.  

Toska, i cili kaloi në sitën e Vettingut me përparësi për shkak të kandidaturës për anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 21 qershor. Por…
“Siç thuhet në raportin zyrtar, gjyqtari Ilir Toska
“rezulton individ i mundshëm për t’u vënë nën presion nga struktura kriminale”.

Raporti zyrtar i shërbimeve inteligjente bazohet në një përgjim me zë dhe figurë të vitit 2004, thekson Alibeaj, e për këtë Shërbimi Informativ i Shtetit i ka vënë në dispozicion zyrtarëve të kohës….

“Presidentit Alfred Moisiu dhe Ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafaj një material audioviziv, ku provohej se Ilir Toska, në atë kohë kryeinspektor i KLD-së, ka marrë para me ndërmjetësimin e një punonjësi të Ministrisë së Brendshme, që ai të mos i jepte masë disiplinore një gjyqtari të korruptuar. Pavarësisht këtij fakti të rëndë dhe tronditës, ku gjyqtari Ilir Toska, është kapur në flagrancë për korrupsion, organi i vettingut konfirmoi në detyrë kandidatin e Edi Ramës për Këshillin e Lartë Gjyqësor”. 

Ky nuk është rasti i vetëm, theksojnë demokratët, kur Vettingu ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar ndaj PD do të vijojë të bëj transparencën e këtij procesi që sipas tyre është i korruptuar politikisht nga Edi Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!