Ali Ahmeti: Më kanë thirrur në Hagë të dëshmoj si themelues i UÇK

schedule21:35 - 22 Korrik, 2020

schedule 21:35 - 22 Korrik, 2020

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti është ftuar nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Këtë informacion e ka konfirmuar vetë Ahmeti me anë të një postimi në rrjetet sociale.

Sipas Ahmetit, ai është ftuar nga Specialja në rolin e dëshmitarit.

“Të nderuar qytetarë,

sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive, vendore dhe ndërkombëtare, janë synim dhe detyrim i imi i përhershëm në të gjithë veprimtarinë time.

Andaj, ju njoftoj që Dhomat e specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht prokuroria speciale e Kosovës, si një nga themeluesit e UÇK dhe anëtar i shtabit të përgjithshëm, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje kam pranuar ftesën si dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë.

Gjithëmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit”, shkruan Ahmeti.

Paraprakisht Gjykata Speciale intervistoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin në lidhje me luftën e Kosovës me Serbinë.

Nuk dihet nëse edhe ftesa e Ahmetit ka të bëj me intervistimin ose jo të Thaçit.

Intervistimi i Thaçit dhe ftesa e Ahmetit vijnë pasi Gjykata Speciale më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Me Thaçin, në aktakuzë është i përfshirë edhe Kadri Veseli kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe disa persona të tjerë emrat e të cilëve ende nuk janë bërë publik./abcnews.al