Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka pritur në Tiranë ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara, Eric Wendt, në takimin e parë mes tyre pas marrjes së detyrës nga diplomati amerikan.
Në fokus të takimit ka qenë partneriteti shqiptaro-amerikan në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ndërsa Nufi ka vlerësuar rolin e SHBA-së si partner strategjik për Shqipërinë.
“SHBA janë partner i pazëvendësueshëm i Shqipërisë në mbrojtje dhe siguri, ndërsa vendi ynë i sjell këtij partneriteti një pozicion gjeografik me rëndësi, besueshmëri dhe vullnet të qartë për të bashkëpunuar”, tha Nufi.
Ministri ka theksuar rëndësinë e pozicionit gjeografik të Shqipërisë dhe të kapaciteteve të vendit për sigurinë e Aleancës, duke përmendur Korridorin VIII, Porto Romanon, Bazën Ajrore të Kuçovës dhe kapacitetet për Mbështetjen e Vendit Pritës.
Nufi ka renditur edhe angazhimet e Shqipërisë në kuadër të sigurisë ndërkombëtare, nga mbështetja për Ukrainën dhe prania e Forcave të Armatosura në KFOR, te pjesëmarrja në iniciativa shumëkombëshe dhe vendimi për t’iu bashkuar Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.
Sipas ministrit, këto angazhime dëshmojnë rolin aktiv të Shqipërisë në kontributin për sigurinë dhe paqen, ndërsa partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet një prej shtyllave kryesore të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.


