Nga Adri Nurellari
Ngjarjet e fundit politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut; nga debatet simbolike për himnin e munguar në Kuvendin e Vlen-it e deri tek protestat e studentëve për përdorimin e gjuhës shqipe; nuk janë thjesht episode të izoluara por maja e një ajsbergu të një strategjie më të vjetër dhe më të rrezikshme për një “de-albanizim” faktik dhe metaforik të shtetit, duke i kthyer shqiptarët nga faktorë shtetformues në dekor politik. Në thelb të kësaj dinamike qëndron një lloj “sado-mazokizmi politik” që ka karakterizuar ekstremistët e VMRO-DPMNE-së ndër vite. Kjo është një ndjenjë inferioriteti karshi ndërkombëtarëve perëndimorë dhe fqinjëve, e cila tentohet të kompensohet përmes një arrogance dhe shfaqjeje superioriteti ndaj shqiptarëve brenda shtëpisë
Për vite me radhë, kjo elitë ndërtoi narracionin se shqiptarët “kanë marrë shumë pushtet”, se Marrëveshja e Ohrit ka shkuar “tepër larg” dhe se karakteri i shtetit po ndryshon. Sot, kjo propagandë po korr frutat e saj sepse po shohim se si po tentohet të krijohet një realitet ku shteti funksionon me shqiptarë të “disiplinuar” dhe të nënshtruar që nuk guxojnë as të vendosin himnin kombëtar brenda në kuvendin e partisë së tyre. Shqiptarët gjithashtu janë kthyer në kokë turku për çdo krizë, për çdo frustrim e bllokim, ndërkohë që problemet reale të shtetit mbeten korrupsioni, inflacioni, kapja partiake e institucioneve, mungesa e reformave dhe stagnimi i integrimit.
Në këtë klimë hyn edhe roli i Albin Kurtit, i cili në vend që ta fuqizonte subjektivitetin politik të shqiptarëve të RMV-së, në shumë raste e ka defaktorizuar atë. Duke e paketuar VLEN-in si një lloj dege lokale të LVV-së dhe duke u shfaqur si autoritet politik përmbi partitë shqiptare atje, ai ua ka zbehur autonominë politike dhe i ka bërë më të anashkalueshëm në raport me partnerin maqedonas. Sepse natyrshëm një faktor që perceptohet si satelit politik i Prishtinës nuk trajtohet si partner real shtetformues, por si vegël e ndikimit të jashtëm.
Kjo është pikërisht ajo që i ka munguar për vite narracionit nacionalist maqedonas, dëshmia konkrete se shqiptarët nuk janë faktor autentik shtetformues, por zgjatim i ndikimeve të jashtme të Tiranës apo Prishtinës. Sa herë Kurti shfaqet si “lider i shqiptarëve të rajonit” në Tetovë apo Shkup, ai ushqen paranojat nacionaliste dhe e bën më të lehtë relativizimin e rolit politik të shqiptarëve në shtet. Kjo sjellje e tij vetëm sa i ka dhënë oksigjen trillimit nacionalist dhe ekstremist maqedonas me gogolin e “Shqipërisë së Madhe”, paranojë që për vite është përdorur për mobilizim politik dhe për justifikimin e dobësimit të rolit shqiptar në shtet. Çdo perceptim se një komunitet etnik kontrollohet nga një kryeqytet tjetër, prodhon kundërreagim nacionalist defensiv nga komuniteti tjetër etnik, dhe këtë gjë e kemi parë në pafund raste analoge të Bosnje Hercegovinës; Moldavisë; Ukrainës; Gjeorgjisë, Qipros etj.
Dhe e gjitha kjo ndodh ndërkohë që qeveria Mickoski po zhbën gradualisht vetë themelet e bashkëjetesës ndëretnike nëpërmjet minimizimit apo pengimit të përdorimit të gjuhës shqipe, margjinalizim të përfaqësimit shqiptar në institucione, tentativa për zbehjen e frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe heqjen e mekanizmit të “balancuesit”, një nga instrumentet kryesore që garantonte përfaqësimin etnik në administratë. Lexuesi jashtë RMV-së duhet të kuptojë se ky shtet pas Ohrit nuk u konceptua si demokraci klasike numerike (fituesi merr gjithçka), por, siç do ta përkufizonte Arend Lijphart, nj shtet konsensual multi-etnik ku stabiliteti varet nga balancat mes komuniteteve. Pra, sulmi ndaj “balancuesit”, relativizimi i gjuhës shqipe apo minimizimi i partnerit shqiptar nuk janë thjesht vendime administrative, por cënim i vetë arkitekturës kushtetuese post-2001.
Në vend që ta shuante klimën e paranojës etnike dhe ta forconte pozitën e shqiptarëve si partnerë shtetformues, Kurti iu dha ultranacionalistëve maqedonas pikërisht “evidenën” propagandistike se shqiptarët qenkan projekt politik i importuar dhe jo hisedarë e faktor autentik vendas. Duke u vetëshpallur si lider mbarëshqiptar ai ushqeu dyshimin etnik dhe armatosi me prova qarqet më radikale anti-shqiptare. Sot, për një pjesë të opinionit maqedonas, VLEN nuk perceptohet si përfaqësues organik i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por si zgjatim politik i Prishtinës; dhe kjo është katastrofë për pozitën afatgjatë të shqiptarëve atje. Njëherazi edhe për diplomatët ndërkombëtar të cilët kur shohin se partitë shqiptare në RMV perceptohen si degë të qendrave të jashtme politike (Prishtinë/Tiranë), ato njëherazi humbin atributin kryesor të aktorit shtetformues pra sovranitetin politik vendor dhe ndërkaq forcohet perceptimi se shqiptarët nuk janë bashkëpronarë (co-owners) por instrumente të ndikimit të jashtëm (proxy).
Problemi tjetër me revolucionin populist të eksportuar “à la Che Guevara” është se ajo e zëvendëson interesin jetik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me folklor populist dhe spektakël emocional. Shqiptarët atje nuk kanë nevojë për mitologji politike dhe ekzibicionizëm egocentrik, por për institucione të forta, përfaqësim serioz dhe fuqi reale negociuese. Kurti transferoi në Maqedoninë e Veriut debatin e tij tipik anti-establishment për “luftën kundër elitave të vjetra” dhe korrupsionit, sikur problemi kryesor i shqiptarëve atje të ishte identik me atë të Kosovës. Por sfidat ekzistenciale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë para së gjithash etnike dhe kushtetuese. Pra janë përfaqësimi institucional, gjuha, balanca në administratë, Marrëveshja e Ohrit dhe ruajtja e statusit si faktor shtetformues. Duke imponuar një narrativë populiste nga Kosova, ai e zhvendosi debatin nga këto çështje thelbësore të shqiptarëve drejt një spektakli anti-elitë që në fund vetëm sa e dobësoi pozitën reale të shqiptarëve në shtet.
Shqiptarët atje nuk kanë nevojë për retorikë demagogjike populiste, por për zhbllokimin e integrimit evropian; institucione të forta, fuqi negociuese dhe stabilitet kushtetues. Në momentin kur liderët vendorë fillojnë të kërkojnë vulë nga Prishtina në vend të mandatit nga Tetova apo Struga, përfaqësimi shqiptar fillon të kalbet nga brenda. Partitë shqiptare do duhej ta ndërtonin autoritetin mbi figura lokale; ide, institucione dhe mbështetje qytetare e jo duke importuar legjitimitetin e Kurtit. Kjo i dobëson edhe në raport me aleatin maqedonas, sepse një partner që perceptohet si satelit politik nuk trajtohet kurrë si faktor real vendimmarrës.
Në një mënyrë paradoksale, marrëdhënia politike mes Kurtit dhe Mickoskit është bërë pothuajse e ngjashme dhe simbiotike. Të dy, secili në mënyrën e vet, shmangin ballafaqimin me problemet reale të qytetarëve duke e zhvendosur debatin tek marrazi për etninë tjetër që bashkëjeton në shtet. Mickoski shmang përgjegjësinë për stagnimin ekonomik, çmimet e larta, emigracionin masiv dhe bllokimin e integrimit europian duke mobilizuar frikën ndaj shqiptarëve. Kurti, në anën tjetër, ngjashëm me të, eksporton populizmin e tij identitar dhe e zhvendos vëmendjen nga problemet reale të Kosovës drejt protagonizmit rajonal dhe konfliktit permanent politik. Siç argumenton Chantal Mouffe, populizmi ushqehet kryesisht duke krijuar vazhdimisht një “armik” politik e emocional. Dhe pikërisht të dy ushqehen nga polarizimi etnik sepse ai i ndihmon të mbajnë gjallë propagandën me të cilën marrin vota e shmangin përgjegjësitë për dështimet.
Mirëpo, historia politike e kombit tonë ka treguar vazhdimisht se momentet më të rrezikshme nuk kanë ardhur vetëm nga nacionalizmat e fqinjëve, por edhe nga fenomeni i “Pošteni Albanci”; shqiptarët “e ndershëm”, “të pranueshëm”, që janë përdorur si noterë politikë për të validuar vendime kundër vetë interesit kombëtar shqiptar. Nga ata që në mars 1989 votonin suprimimin e autonomisë së Kosovës, e deri tek elitat që në prill 1939 i dorëzuan kurorën mbretërore Viktor Emanuelit duke e shitur servilizmin si realpolitikë. Ballkani ka prodhuar vazhdimisht shqiptarë që pushteti i promovon sepse janë të dobishëm për neutralizimin e vetë shqiptarëve. Këtu qëndron edhe rreziku më i madh me VLEN-in, me kryeministrin e Kosovës dhe me përfaqësuesit e partisë kryesore opozitare të Shqipërisë që preferuan fotografinë politike me Mickovskin edhe kur himni shqiptar mungonte.. Sepse sa herë elitat shqiptare relativizojnë dobësimin simbolik e institucional të shqiptarëve në emër të “pragmatizmit” apo “moderimit”, ato rrezikojnë të bëhen lubrifikant politik për ingranazhet e nënshtrimit, disiplinimit dhe defaktorizimit gradual të shqiptarëve në RMV.
Shqiptarët gjithashtu kanë paguar shpesh çmimin e pazareve gjeopolitike të kryeqyteteve të veta. Çamët u sakrifikuan në emër të ekuilibrave rajonalë dhe flirtit diplomatik me Athinën, ndërsa terrori shtetëror në Kosovë për dekada u trajtua si kosto e pranueshme në funksion të marrëdhënieve të Tiranës enveriste me Titon dhe Jugosllavinë. Ngjashëm ndihen sot shqiptarët në Mal të Zi kur shohin kryeministrin e Shqipërisë që bën fushatë elektorale për Gjukanoviçin e Abazoviqin e nuk nxit bashkimin e fuqizimin e partive shqiptare atje. Njësoj ndodh në Luginë të Preshevës kur shikojnë Kurtin që i përdor si gur shahu për dialogun apo e shohin Ramën që sillet si pobratin i Sandrit të Beogradit duke e justifikuar për mosvendosje sanksionesh ndaj Moskës apo duke bashkë-shkruajtur artikuj presioni ndaj Brukselit. Kjo është arsyeja pse shqiptarët në rajon kanë zhvilluar një ndjeshmëri të fortë ndaj çdo tentative për t’u përdorur si monedhë shkëmbimi në lojërat kryeministrore të protagonizmit rajonal.
Por në rastin tonë, problemi është se Kurti, me këtë sjellje, nuk po i dëmton vetëm shqiptarët e Maqedonisë së Veriut por po dëmton gradualisht edhe vetë Kosovën e cila po humbet rolin që kishte dikur si pikë bashkimi për shqiptarët. Prishtina kishte ndikim sepse shihej si qendër morale dhe simbol solidariteti për gjithë shqiptarët e jo si sponsor i një partie kundër një tjetre. Duke hyrë hapur në garat politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut (sikurse në Shqipëri e Luginën e Preshevës) dhe duke marrë anë kundër njërës palë shqiptare, ai ia ka humbur Prishtinës rolin tradicional të arbitrit moral dhe neutral që kishte ndikim mbi të gjithë spektrin politik shqiptar.
Për më tepër e dëmton Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare. Për vite me radhë, Prishtina është përpjekur të ndërtojë imazhin e një shteti të vogël paqe-dashës;vullnet-mirë që kërkon njohje, stabilitet dhe integrim euro-atlantik dhe që përpiqet t’i zgjidhë problemet e mbetura me fqinjët nëpërmjet dialogut. Por kur kryeministri i saj futet drejtpërdrejt në garat politike të shqiptarëve në shtetet fqinje dhe sillet si patron politik rajonal, krijohet perceptimi i një shteti që eksporton tension politik, polarizim etnik dhe jo stabilitet.
Kjo sjellje e dëmton edhe raportin me Perëndimin. SHBA-të dhe BE-ja kërkojnë stabilitet, pragmatizëm dhe koordinim në rajon. Kur Kosova fillon të shihet si vend që rrit tensionet politike dhe etnike te fqinjët, dobësohet edhe vullneti i disa partnerëve për ta mbështetur pa rezerva në temat e saj kryesore ndërkombëtare. Madje krijohet edhe perceptimi se Kurti po eksporton në rajon të njëjtën frymë përplasjeje që ka pasur shpesh me BE-në dhe SHBA-në në Kosovë. Kurti aktualisht është kumbari i një aleance shqiptare që është në koalicion me VMRO-DPMNE-në që po bllokon ndryshimet kushtetuese dhe po e mban të ngrirë rrugën europiane të Maqedonisë së Veriut. Kjo krijon përshtypjen e rrezikshme se Prishtina zyrtare po mbështet direkt apo indirekt pikërisht ata faktorë që po e mbajnë rajonin jashtë BE-së.
Kjo politikë i bën dëm vetë idesë së shqiptarëve si faktor modern më pro-europian në mbarë Ballkanin. Në vend që shqiptarët të perceptohen si komunitet që kërkon institucione funksionale, integrim euro-atlantik dhe bashkëjetesë liberal-demokratike, rikthehet narrativa e vjetër ballkanike ku çdo mobilizim shqiptar interpretohet si projekt nacionalist rajonal destabilizues. Dhe kjo është dhurata më e madhe që mund t’u bëhet qarqeve anti-shqiptare në rajon duke nisur nga Beogradi.
Në përfundim, ironia është se nacionalistët maqedonas dhe populizmi rajonal i Kurtit sot ushqehen nga njëri-tjetri. Njëri ka nevojë për frikën ndaj shqiptarëve për të mbuluar dështimet e veta, tjetri ka nevojë për polarizim permanent etnik për t’u projektuar si figurë me peshë ndërkombëtare. Njëra palë i do shqiptarët të heshtur dhe të “disiplinuar”, pala tjetër i përdor si karburant për protagonizëm elektoral politik dhe pazar diplomatik.
Në këtë teatër polarizimi, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut rrezikojnë të mbeten thjesht “mish për top” elektoral. Shqiptarët atje nuk kanë nevojë as për paranojën e Mickovskit dhe as për narcizmin rajonal të Kurtit. Ata kanë nevojë për fuqi reale negociuese, institucione, integrim europian dhe elitë politike që merr mandat nga qytetarët e vetë e jo bekim nga Prishtina. Sepse kur politika shqiptare shndërrohet në filial dhe shqiptarët trajtohen si zgjatim i dikujt tjetër, fituesit e vetëm janë qarqet anti-shqiptare që prej dekadash pengojnë bashkëjetesën me shqiptarë të barabartë, por përpiqen të prodhojnë shqiptarë të bindur, të menaxhueshëm dhe politikisht të kastruar.


