Drejtori i Analizës së Sigurisë Kibernetike AKSK, Adriano Lleshi, foli për alarmin e ngritur nga mesazhet me linqe të dyshimta që dërgohen në emër të institucione apo kompanive duke paralajmëruar qytetarët që të tregohen të kujdesshëm.
Sipas tij, qytetarët nuk duhet në asnjë mënyrë të klikojnë në këto linqe dhe çdo mesazh i dyshimtë duhet të verifikohet menjëherë.
Ai theksoi se raste të tilla shpesh maskohen si njoftime zyrtare nga platforma si e-Albania apo institucione të tjera.
“Qytetarët nuk duhet të klikojnë në linqet e dyshimta. Duhet të shmangen në mënyrë kategorike. Një gjobë që vjen direkt nga e-Albania apo e policisë duhet të verifikohet menjëherë. Në KSK janë bërë shumë raportime rishtazi dhe kemi bllokuar mbi 200 domeine. Dhe kjo bën të mundur që edhe në rast se e klikojnë mesazhin linku të mos u aksesohet. Pjesë e targetimit është në rang të gjerë, nuk është vetëm për disa grupmosha. Por grupmoshat mbi 50 vjeç mund të afektohen dhe duhet të ketë një ndërgjegjësim të tyre për të mos klikuar këto linqe”, u shpreh Lleshi.
Gjithashtu ai theksoi se është me rëndësi që qytetarët të mos japin të dhëna identifikuese.
“Çdo link që vjen duhet të shikohet me kujdes dhe në mënyrë të dyshimtë. Ideja është që të ketë edhe një ekosistem më të mirë kibernetik. Nga qytetarët kemi marrë denoncime të shumta. Kemi marrë masa imediate për pjesën e bllokimit të domaine për të bërë të mundur bllokimin e këtyre aktorëve keqdashës. Kemi bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe me instanca të tjera për të bërë bllokime në kohë reale. Kryesorja është që qytetarët të mos të japin të dhëna personale apo bankare”, theksoi ai.


