AKU bllokon 4 subjekte pa licencë e kushte

schedule17:45 - 9 Gusht, 2019

schedule 17:45 - 9 Gusht, 2019

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në vijim të kontrolleve për garantimin e sigurisë ushqimore, u ka ndërprerë aktivitetin 4 subjekteve që  ofronin produkte ushqimore të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve si dhe pa kushte higjeno-sanitare. Në Tiranë është mbyllur aktiviteti për 3 subjekte, “fas-food kreperi”, restorant dhe një dyqan që tregtonte fruta-perime.

Sipas AKU, arkat me fruta dhe perime mbaheshin në kontakt me tokën dhe të ekspozuara në diell. Ndërsa në restorantin e bllokuar në kryeqytet, inspektorët e AKU, krahas mungesës së licencës dhe kushteve higjeno-sanitare, kanë konstatuar edhe kushte të papërshtatshme të ruajtjes frigoriferike të produkteve mish, peshk dhe pasta.

Gjithashtu, nga kontrollet e ushtruara në të gjithë vendin, AKU i ka ndërprerë aktivitetin një dyqani ushqimor në Përrenjas, ku janë evidentuar disa produkte ushqimore dhe pije freskuese që tregtoheshin jashtë afatit të përdorimit. Për shkeljet e konstatuara, subjektet janë ndëshkuar në total me 6.2 milion lekë gjobë./ABC News Albania 24/7