Aktorja Catherine Deneuve nxit urrejtjen ndaj burrave

schedule19:53 - 10 Janar, 2018

schedule 19:53 - 10 Janar, 2018

Një nga ikonat e kinematografisë franceze dhe asaj botërore, Catherine Deneuve, është një nga 100 gratë franceze shkrimtare, aktore dhe akademike që kanë shkruar një letër të hapur në të cilën denoncojnë atë që e quajnë “puritanizëm” i dalë në dritë që prej skandalit të Harvey Weinstein.

Letra e hapur është botuar tek e përditshmja franceze “Le Monde”, menjëherë pasi elita e Hollivudit u bashkua në ceremoninë e Golden Globe me veshje të zeza, në shenjë solidariteti me lëvizjen “Edhe Unë”.

Deneuve dhe gratë e tjera firmëtare shkruajnë në letër se ajo që konsiderohet një agresion mashkullor nga kjo lëvizje, nuk është krim dhe se burrat që u detyruan të japin dorëheqjen nga funksionet e tyre për shkak se kanë prekur gjurin e një gruaje, kanë tëntuar t’i vjedhin një puthje, apo kanë folur për tema intime gjatë një darke pune, në fakt janë viktima.
“ Përdhunimi është krim, thuhet në letër, por flirtimi insistues apo i keq nuk duhet konsideruar si ofendin, as guximi për ta bërë një gjë të tillë nuk duhet parë si agresion maskilist, por si një e drejtë e lirisë seksuale”.

Pas aferës së producentit të Hollivudit Weinstein ka pasur një ndjeshmëri të rritur e legjitime ndaj dhunës seksuale ndaj grave sidomos në vendin e punës, ku shumë njerëz abuzonin me pushtetin e tyre. Ishte diçka e nevojshme. Por ky shpërthim denoncimesh, sot po shkon në kahun e kundërt. Në letër kritikohet mënyra se si lëvizja “Edhe Unë” e adreson këtë çështje. Kjo lëvizje, sipas firmëtareve, në media e në rrjetet sociale ka ngritur një fushatë denoncimesh publike dhe paditë për individë të cilët pa iu dhënë mundësia të përgjigjen a mbrojnë veten, janë vendosur në të njëjtin nivel si abuzuesit seksualë të faktuar e dënuar.

Kjo lloj drejtësie publike ka shkaktuar jo pak viktima, duke shënjestruar njerëz të dënuar për shkak të pozicionit profesional e duke i detyruar të dorëhiqen pse kanë flirtuar me gra të cilat nuk ishin të tërhequra ndaj tyre.

Si gra, thuhet në letër, ne nuk e shohim veten si pjesë e këtij lloj feminizmi, i cili përtej denoncimeve të abuzimit me pushtetin, në fakt nxit urrejtjen ndaj burrave dhe seksualitetit. Ne besojmë se liria për t’I thënë “jo” një propozimi seksual nuk shkon pa lirinë për t’u bezdisur. Për pasojë ne besojmë se çdokush duhet të jetë i aftë t’i përgjigjet kësaj lirie për t’u ngacmuar në mënyra të tjera, e jo duke bërë rolin e presë. Për ato nga ne që kemi vendosur të kemi fëmijë, ne besojmë se ka më shumë kuptim t’i rrisim vajzat tona duke i informuar e ndërgjegjësuar, në mënyrë që të jetojnë pa u druajtur apo pa u ndjerë fajtore. Aktet që mund të prekin trupin e një gruaje, jo domosdoshmërisht i cënojnë dinjitetin dhe nuk duhet, sado të rënda të jenë ta shndërrojnë atë në një viktimë në vazhdimësi. Sepse gratë nuk janë vetëm trupi që kanë. Liria e brendshme e tyre është e padhunueshme. Pikërisht kjo liri që ne gëzojmë, nuk është pa rreziqe e përgjegjësi./abcnews.al