I ftuar mbrëmjen e sotme në “Provokacija” me Mustafa Nanon ishte i ftuar aktori Neritan Liçaj. Aktori foli për filmin e shumëpërfolur këto ditë në media, “Gjirokastra”. Filmi më i ri i aktorit Liçaj bën fjalë për fatet e njerëzve që kanë përjetuar sistemin e asaj kohe.
Liçaj sqaroi se roli i tij në film dhe filmi nuk kishte të bënte aspak me jetën e Enver Hoxhës ashtu siç është aluduar.
Liçaj gjithashtu sqaroi se filmi duhet të shihet njëherë dhe pastaj të gjykohet pasi është krijuar për të një perceptim i gabuar për shkak të tematikës së ndjeshme që trajton ky film.
Pjesë nga biseda në studio:
Mustafa Nano: Bëhet fjalë për filmin “Gjirokastra”, kanë lindur diskutimet përpara se filmi të dalë, është gjë normale që të diskutohet përpara se filmi të dalë?
Neritan Liçaj: Po është normale, varet nga tema që trajtojnë filmat. Nuk është vetëm fenomen shqiptar. Kjo ndodh edhe në botë, si psh. filmi “Pasioni i Krishtit”, për të cilin pati një debat të madh që përpara se të dalë sepse është një temë e ndjeshme. Zakonisht kur janë tema të ndjeshme ndodh kjo.
Mustafa Nano: Në këtë film luani rolin e Enver Hoxhës, ky ka qenë lajmi. Të vjen pak keq për të tjerët se kanë ngelur pak në hije duke qenë se është bërë film për Enver Hoxhën.
Neritan Liçaj: Në njëfarë mënyre kjo pritej. Megjithatë për të qenë korrekt, nuk është film për jetën e Enver hoxhës dua ta sqaroj këtë sepse është krijuar një perceptim i gabuar sikur është bërë film për jetën e Enverit. Nuk është e tillë absolutisht. Prandaj do të bëja një lutje me shumë përulësi dhe dashamirësi të gjithë këtyre zërave që të përmbahen, të shohin njëherë filmin dhe të mos hamendësojnë përpara sepse akoma ka ndjeshmëri shumë të mëdhaja ky komb nga figura e Hoxhës dhe sistemi që ai krijoi. Mos harrojmë që janë jetë të tëra njerëzish të shkatërruara nga dhuna e atij sistemi. Të mos aludohet pa parë njëherë filmin sepse filmi ka të bëjë me fate njerëzish, nuk ka të bëjë fare me jetën e Hoxhës, shumë përulësisht e kërkoj që të mos nxitohen. Nuk mund të flasë askush pa parë njëherë produktin artistik.
Mustafa Nano: Kur do e shohim filmin?
Neritan Liçaj: Nuk dihet saktë, sepse është në fazën përfundimtare.
Mustafa Nano: E keni idenë çfarë filmi do të dalë?
Neritan Liçaj: Sigurisht, i njoh skenarin, prandaj them që nuk duhet nxituar, duhet kërkuar informacion më saktë. E kuptoj që portaleve u intereson një titull pak provokativ që të tërheqë klikime etj. por jo kur bëhet fjalë për ndjeshmëri të tilla, që janë ende të freskëta, sepse aty tejkalohet masa.
Mustafa Nano: Keni urrejtje për diktatorin Hoxha, keni një perceptim personal për të?
Neritan Liçaj: Sigurisht, por është tepër personal. Dhe unë kam qenë i lënduar nga ai sistem, dhe detyrimisht jam i prekur. Nuk i takon Neritanit që të përkufizojë këtë gjë./abcnews.al