Drejtori i Policisë Durrës Ervin Hodaj dhe Drejtori i drejtorisë vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, Altin Lila kanë zhvilluar një konferencë për mediat, duke bërë bilancin e rezultateve për muajin maj, ku janë ndalur te operacionet kundër shitjes së lëndëve narkotike, siguria rrugore, si edhe masat për lehtësimin e trafikut gjatë sezonit të verës.
“Janë marrë masa me rendin komisariatin e Durrësit dhe komisariate të tjera për të bërë të mundur lehtësimin e trafikut gjatë sezonit të verës”, tha ai.
Gjithashtu theksoi se janë zhvilluar operacione kundër ushtrimit të prostitucionit.
“Drejtoria vendore e Durrësit ka pasur disa operacion kundër ushtrimit të prostitucionit, nga ana jonë është proceduar vetëm për ushtrim prostitucioni dhe jo shfrytëzim, por hetimet vazhdojnë për zbardhjen e të gjitha rasteve”, u shpreh ai.
Fjala e plotë;
Drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës Kryekomisar Altin Lila.
Me nisjen e sezonit turistik veror 2026, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës ka marrë një sërë masash konkrete për goditjen e paligjshmërive në kufi, garantimin e lëvizjes së sigurt të shtetasve dhe mallrave, menaxhimin e flukseve në pikat e kalimit kufitar dhe rritjen e parametrave të sigurisë në zonat turistike, bregdetare dhe ujore.
Qarku i Durrësit përfaqëson një nga portat kryesore hyrëse të vendit dhe njëkohësisht një nga destinacionet më të frekuentuara turistike. Për këtë arsye, strukturat tona kanë planifikuar dhe po zbatojnë masa të shtuara në të gjitha drejtimet e veprimtarisë policore kufitare.
Gjatë muajit Maj 2026, në pikat e kalimit kufitar të qarkut Durrës janë përpunuar mbi 46.000 shtetas dhe 20.300 automjete.
Fluksi më i lartë i regjistruar brenda 24 orëve ka arritur në 2140 shtetas dhe 1060 automjete.
Për përballimin e këtij fluksi, kemi shtuar kapacitetet e shërbimit në pikat e kalimit kufitar, duke shtuar sportelet dhe personelin e angazhuar. Gjithashtu, jemi në fazën përfundimtare të instalimit të programeve dhe pajisjeve të reja teknologjike, të cilat do të rrisin ndjeshëm shpejtësinë e përpunimit të shtetasve dhe mjeteve, duke ruajtur të pandryshuara standardet e kontrollit dhe sigurisë kufitare.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar sigurisë në plazhet dhe hapësirat ujore të qarkut. Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po monitorojmë respektimin e kritereve të sigurisë nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në stacionet e plazhit, funksionimin e perimetrit të sigurisë, praninë e vrojtuesve të plazhit dhe përdorimin e mjeteve lundruese.
Për këtë qëllim janë angazhuar 275 punonjës policie, 20 drejtues shërbimi, 11 patrulla ujore me Jet Ski, 5 me skafe dhe gomone, si dhe 8 patrulla tokësore, monitorimi nga toka dhe ajri kryhet edhe nëpërmjet dronëve.
Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve, bazuar në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative, janë konstatuar 15 vepra penale, për të cilat janë referuar materialet procedurale në Prokurori,
Konkretisht :
4 raste – Trafikimi i mjeteve motorrike ne kufi, ku janë sekuestruar 4 mjete te shpallura ne kërkim nderkombetare, 1-automjetit i markës Mercedez Benz-Meklaren, 1 Land Rover 1- Motorrciklete, si dhe 1 furgon Mercedez Benz.
5 raste – Kontrabandim i mallrave te ndryshme pa dokumenta justifikues
1 rast – Mosdeklarimi ne kufi i te hollave dhe i sendeve me vlere, ku eshte sekuestruar një sasi bishuterish te vjetra dhe te perdorura, vazo metalike material inoxi, sasi monedhash te huaja material alumini, etj.
1 rast – Falsifikim i dokumentave te udhetimit, shtetas turk me leje qendrimi sllovene te falsifikuar.
3 raste – Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror
gjithashtu është edhe evidentimi ne kufi, i sasisë prej 3200 farave te kanabisit si dhe paisje për kultivimin e tyre.
Janë marrë 3 masa administrative ndaj subjekteve dhe drejtuesve të mjeteve lundruese që kanë shkelur rregullat e sigurisë në det.
Paralelisht, janë intensifikuar kontrollet në kufirin dhe hapësirën detare, me qëllim parandalimin e kalimeve të paligjshme, trafikimit të qenieve njerëzore, kontrabandës, kultivimit të bimëve narkotike, si dhe çdo aktiviteti tjetër kriminal ndërkufitar, në në bashkëpunimin e vazhdueshëm me strukturat vendore dhe autoritetet homologe si Guardia Di Finanzia dhe Frontex.
Gjithashtu ;
Gjatë muajit janë miratuar 701 Leje qëndrimi , kemi rritje me 78% më shumë aplikimi gjatë këtij viti krahasuar me të nëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Jane vendosur 26 masa administrative shtetasve te huaj “Për aplikime jashtë afateve per leje qendrimi”.


