Aksidenti tragjik në Velipojë/ABC News në vendin e ngjarjes

schedule13:12 - 19 Shkurt, 2018

schedule 13:12 - 19 Shkurt, 2018

Aksidenti tragjik me tre viktima në Velipojë cilësohet si më i dhimbshmi, i ndodhur këto kohë në qarkun e Shkodrës. ABC News shkoi në vendin e ngjarjes aty ku njëra nga makinat ishte ende në rrugë. Shpejtësia dhe lagështira në rrugë, duket se janë shkaku i aksidentit.

Ajo që ndodhi në këtë vend është më tepër se e dhimbshme. Babai Edmond Preka humbi jetën bashkë me dy fëmijët e tij vajzën 5 vjeçare dhe foshnjën nëntë muajshe. Vajza tjetër tij, është në koma në spitalin e Shkodrës. Mjekët nuk japin shpresa për të.

Ishte përplasja e fortë e dy makinave që shkaktoi tragjedinë. Nuk ka zyrtarisht ende një fajtor, në kushte kur njëri nga drejtuesit, ai i makinës Tip Alfa Romeo humbi jetën në vend, kurse drejtuesi i mjetit tip Fuoristradë  Ndrek Gjergji ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Edhe gruaja e viktimës, ka dhënë shenja jete dhe ka kaluar rrezikun. Ashtu dhe pasagjeri në makinën e Gjergjit.

Aksidenti ndodhi pasditen e dielë në vendin e quajtur “Sektori” në Velipojë. Mjetet fuoristradë dhe Alfa Romeo u përplasën aq fort sa zhurma shkoi deri tek banorët në Velipojë. Skena ka qenë horror. Nëna kërkonte fëmijët, kurse trupat të gjakosur jepnin shpirt. Ekspertët në hetimet e tyre kanë dalë me dyshimet se shpejësia dhe errësira ndikuan në përplasjen e makinave. Por priten ende të dhëna shkencore për një version të saktë të ngjarjes.

Gazetar i ABC News, Shkodër: Simon Shkreli

/abcnews.al