Ajax, mundësia te Laçi dhe kilometrat pafund: Rrëfehet “kroati” Enis Çokaj

schedule11:50 - 20 Maj, 2020

schedule 11:50 - 20 Maj, 2020

Enis Çokaj, mesfushori i talentuar nga Kopliku, është kthyer në një titullar të padiskutueshëm te Lokomotva e Zagrebit, që ka edhe shqiptarë të tjerë, si Myrto Uzuni, Lirim Kastrati, Indrit Tuci dhe Jon Mersinaj. Me këtë të fundit, Çokaj ishte edhe te Laçi, ku të dy luajtën rregullisht në Superiore dhe kjo eksperiencë ju shërbeu shumë.

“Laçi më dha mundësinë që të punoj shumë dhe të merrja vendin e titullarit te Lokomotiva. Dua të falënderoj presidentin Pashk Laska, i cili është një nga më korrektet në Shqipëri. Por edhe Prengën (Besnikun), i cili gjithashtu na ka ndihmuar shumë”, deklaron Çokaj, në një prononcim për “TV Rozafa”.

Më tej mesfushori flet për rrugëtimin e tij në futboll: “Unë kam qenë më parë edhe 6 muaj te Ajaksi, pastaj te Vllaznia, më pas kalova te Shkëndija e Tiranës, ku edhe spikata. Atje kalova 3 vite e gjysmë dhe isha dhe kapiteni i skuadrës. Nga aty u transferoma tek Lokomotiva e Zagrebit. Në fillim tek 19-vjeçarët, më pas kalova tek ekipi i parë.

Kur shkova në fillim në Kroaci shkova në provë, e kalova provën dhe bëra kontratën e parë profesioniste. Ishte një ndjesi e veçantë. Lokomotiva e Zagrebit është një trampolinë për lojtarët e rinj, shpresojmë që të ndodhë dhe me mua sa më shpejt”.

Banda e shqiptarëve, kështu i thërrasin lojtarët tanë në Kroaci dhe Çokaj tregon se kush është shefi. “Kapo e bandës shqiptare këtu në Zagreb është Myrto Uzuni (qesh).  Ai është një nga lojtarët kryesorë dhe do të transferohet në një kampionat tjetër. Kurse ne kemi ende kohë, na duhet dhe pak eksperiencë”, shton mesfushori 21-vjeçar.

Çokaj është një lojtar mjaft energjik dhe bie në sy për kilometrat e shumta që bën: “Nuk ka rëndësi nëse je nga Kopliku, apo nga Berati. Futbolli do vetëm që të punosh shumë dhe të stërvitesh. Futbolli ky është, vetëm stërvitje. Në bazë të statistikave, mesatarisht vrapoj 11.5 km”. /abcnews.al