Qeveria zhvillon takimin e parë në Kukës me banorët pas protestës që zhvilluan në rrugën e Kombit. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i siguroi se qeveria po negocion për një paketë të lehtësuar për banorët e Kukësit për tarifën e rrugës.
Arben Ahmetaj: “Folëm për tarifën e rrugës. Në emër të kryeministrit i kam premtuar që do të jetë një konsiderim shumë i mirë dhe shumë racional. Pra një paketë shumë racionale dhe shumë e mirë për qytetarët e qytetit të Kukësit, për qytetarët e gjithë zonës, Tropojë, Has, Kukës”.
Ministri Ahmetaj zhvilloi një bashkëbisedim edhe me bizneset e vegjël. Ai nënvizoi se do të vazhdojë informimi intensiv për përfshirjen në skemën e deklarimit, duke komunikuar me çdo biznes në të gjithë Shqipërinë.
Arben Ahmetaj: “Pra i sqarova qytetarët dhe sipërmarrjen se është një procedurë e thjeshtë, që nuk ka ngarkesë të re fiskale. Që nuk ka gjoba për deklarim të gabuar deri në fund të vitit 2018. I kërkova administratës tatimore që të informojë të 64 bizneset e vogla që futen në skemën e deklarimit”.
Ky detyrim për deklarim nuk do të sjellë rritje çmimesh për konsumatorët, deklaroi ministri i Financave nga Kukësi./abcnews.al