Lirohet nga “arresti shtëpiak” kryebashkiaku i Lezhës Frrokaj

schedule13:41 - 10 Maj, 2018

schedule 13:41 - 10 Maj, 2018

Kryetari i Bashkisë së Lezhës do të kthehet në zyren e tij. Gjykata i hoqi atij arrestin shtëpiak dhe e la në detyrim paraqitje, masë kjo që u pranua edhe nga prokurori.

Gjykata e Lezhës vendosi detyrim paraqitje dhe bllokim të pasaportës për kryetarin e Bashkisë.

Përmes avokatit, Fran Frrokaj kishte paraqitur pranë gjykatës së shkallës së parë në Lezhë kërkesën për zëvendësim të masës së sigurisë të dhënë ndaj tij më herët me arrest shtëpie.

Seanca ishte parashikuar të zhvillohej më 8 maj, por prokuroria kishte kërkuar dy ditë kohë për të mbledhur provat për procesin që do të zhvillohet për çështjen e tjetërsimit të pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin.

Në orën 10:00 të paradites së enjte, në sallën e gjyqit ishin prokurori dhe Adrian Leka, avokati mbrojtës i kryebashkiakut Frrokaj.

Seanca zgjati vetëm pak minuta, pasi të dyja palët depozituan pretendimet e tyre.

Gjyqtari i çështjes Artan Hajredinaj kërkoi 3 orë për të vendosur që Fran Frrokaj i akuzuar për abuzim me bregdetin në Shëngjin, të kalonte nga masa e sigurisë në arrest shtëpie, në masën e sigurisë detyrim paraqitje.

Në arsyetimin e gjykatësit Hajredinaj thuhet se ndryshimi i masës u pranua edhe nga ana e prokurorisë, sipas të cilëve nuk kishte më nevojë për hetime të tjera ndaj të dyshuarit.

Hajredinaj shpjegoi se gjykata nuk mund të caktojë një masë më të rëndë se ajo e propozuar nga akuza.

Vendimi i gjykatës së Lezhës kthen në zyrë kryebashkiakun Fran Frrokaj pas gati dy muajsh mungesë, pasi më herët ndaj tij ishte caktuar një masë sigurie më e rëndë.  Ndërkohë nga të arrestuarit për këtë çështje, nënkryetari i Bashkisë dhe kryetari i qarkut janë në arrest shtëpie. Kurse 15 të tjerë të akuzuar janë në masën e sigurisë detyrim paraqitje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!