Kristal Abazaj, Bruno Telushi dhe Sodiq Atanda janë tre nga emrat më të lakuar të ditëve të fundit në merkato. Sulmuesi anësor është pjesë e Istanbulspor në Turqi dhe si tifoz i Tiranës dëshiron shumë ta veshë fanellën e bardhebluve.
Abazaj edhe në të shkuarën është tentuar nga Tirana, që edhe tani është gati të paguajë për kartonin e sulmuesit. Gjithsesi oferta aktuale nuk e bind Istanbulspor për ta lënë të lirë futbollistin që ka spikatur me Luftëtarin dhe Kukësin më pas.
Trajneri Orges Shehi e njeh mirë Abazajn, pasi e ka pasur nën urdhra te Kukësi dhe do e mirëpriste në skuadër. Veç Tiranës po lëvizin edhe skuadra të tjera. Njëra është Teuta kampione, që pas largimit të Rustem Hoxhës mendon të rikthejë në Superiore nigerianin Sodiq Atanda.
Futbollisti 27-vjeçar, pas dy sezonesh si titullar fiks te Hapoel Kfar Saba, është i lirë dhe durrsakët kanë biseduar me të. Atanda është lakuar si opsion edhe për Vllazninë, por Teuta shikohet favorite nëse ai zgjedh të kthehet në Shqipëri.
Në Shkodër ndërkohë kanë mbyllur bashkëpunimin edhe me Milo Kalezic dhe në mesfushë duhen përforcime, pasi më parë edhe Herald Marku është larguar për te Partizani. Drejtuesit e kuqebluve po tentojnë të bindin Bruno Telushi, që do të formonte treshen e mesfushës me Jonuzin e Krymin. /abcnews.al