A rrezikojmë mbylljen prej Covid-19? Flet Brataj: Moshat e reja po infektohen më shumë

schedule23:29 - 21 Tetor, 2020

schedule 23:29 - 21 Tetor, 2020

Mjeku i njohur Skënder Brataj shpjegoi se koronavirusi ka pësuar mutacione që prej muajve mars, prill dhe maj dhe tashmë shfaqet me simptoma të ndryshme. Megjithatë ai theksoi se me uljen e temperaturave, që sjell gripin dhe sëmundje të tjera stinore organizmi do të jetë më i ekspozuar ndaj Covid-19.

Brataj tha në studion e Opinion se mosha më e prekur aktualisht është mosha e mesme, duke qenë se tashmë të moshuarit po mbrohen duke mbajtur maskë edhe jashtë shtëpisë.

“Në verë virusi humbi shumë veti por në temperatura të ulëta ai mbijeton më kollaj. Virulenca me gripin bashkë kthehen në një problem më të madh. Format më të lehta janë temperatura, humbja e shijes. Këto shenja nuk ishin në muajt mars, prill, maj. Virusi ka pësuar mutacion.

Njerëzit që po preken më shumë në spital janë mosha e mesme sepse mosha e tretë po mbrohet. I terrorizuam moshat e treta dhe e respektuan. Masat dhe mënyra e sjelljes janë të gjitha bashkë. Përhapja e infeksionit është njësoj por simptomat kanë ndryshuar”, tha Brataj.

Ai vlerësoi se duhet mbajtur maska për të parandaluar përhapjen e koronavirusit ndërsa shtoi se me këto shifra që kemi aktualisht nuk rrezikojmë mbylljen por kufizime të tjera. “Në këtë moment nuk rrezikojmë mbylljen, me këto numra, por na rrezikohen kufizime të tjera”, u shpreh Brataj./mv. abcnews.al