A po përdor elita ruse kriptomonedhat për t’iu shmangur sanksioneve?

schedule10:13 - 23 Mars, 2022

schedule 10:13 - 23 Mars, 2022

Nga Paul Mazzola & Mitchell Goroch “The Conversation

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Duke iu frikësuar mundësisë që elita ruse t’i shmangë sanksionet ekonomike duke e konvertuar pasurinë në kriptomonedha, senatorja e njohur demokrate, Elizabeth Warren, ka paraqitur një projekt-ligj në Kongresin Amerikan për të penguar transaksionet e kriptove ruse.

Warren paralajmëroi në një seancë dëgjimore në një komision të Senatit:Askush nuk mund të thotë se Rusia mund t’i shmangë të gjitha sanksionet duke zhvendosur të gjitha asetet e saj në kriptomonedha. Por për oligarkët e Putinit që po përpiqen ta fshehin pasurinë, 1 apo 2 miliardë nga pasuria e tyre, kriptomonedha duket si një opsion mjaft i mirë.

Projektligji nuk synon që të vendosë një ndalim të përgjithshëm mbi të gjitha transaksionet e kriptomonedhave ruse. Por kjo masë do t’i jepte qeverisë amerikane autoritetin për t’i penguar kompanitë amerikane që të përpunojnë transaksionet e kriptomonedhave të lidhura me llogaritë ruse që janë nën sanksione, dhe të vendosë sanksione dytësore ndaj shkëmbimeve të huaja të kriptomonedhave që bëjnë biznes me individë, kompani apo agjenci qeveritare ruse që janë aktualisht subjekt i sanksioneve.

Por a është i nevojshëm ky ligj? Edhe pse të dhënat e deri tanishme tregojnë se transaksionet e kriptomonedhave ruse janë shtuar si në numër po ashtu edhe në vlerë muajin e kaluar, tregon se blerësit janë rusë të zakonshëm që kërkojnë të ruajnë kursimet e tyre në kushtet kur vlera e rublës po vazhdon që të bjerë me shpejtësi.

Synimi i sanksioneve

Sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, po e dëmtojnë gjithë ekonominë ruse. Megjithatë, objektivi i tyre speficifik është të godasin aty ku dhemb më shumë Putinin dhe oligarkët miliarderë që e mbështesin sundimin e tij.

Dhe elementi kryesor i kësaj strategjie, është pengimi i këtyre individëve që të përdorin ose zhvendosin pasuritë e tyre, duke i ngrirë asetet që ata kanë jashtë Rusisë dhe duke ua bllokuar transaksionet financiare. Por funksionimi i vazhdueshëm i shkëmbimeve në kriptomonedha në Rusi, si Binance, Yobit dhe Local Bitcoins, i ka shqetësuar jo pak zyrtarët amerikanë.

Që përpara pushtimit rus të Ukrainës, Departamenti amerikan i Thesarit, kishte paralajmëruar se kriptovalutat mund të minojnë sanksionet e vendosura tashmë ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë në vitin 2014.

Rënia e vlerës së rublës

Që nga pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt, vlera e rublës përkundrejt dollarit amerikan ka rënë deri në 40 për qind. Nga 1 dollarë për 76 rubla, në 1 dollarë për 132 rubla. Në kohën e publikimit të këtij shkrimi 1 dollar vlente rreth 109 rubla. Bitcoin nuk është e vetmja kriptomonedhë që mund të blejnë rusët.

Por deri më tani ajo është më e tregtuara dhe më e besueshmja nga të gjitha kriptomonedhat që gjenden në treg, ndaj është një përfaqësuese e dobishme për tregun. Këto të dhëna vijnë nga Coin Dance, një nga kompanitë lidere në fushën e statistikave dhe shërbimeve në Bitcoin.

Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt dhe deri më sot, shpenzimet për Bitcoin duke përdorur rublën ruse janë rritur me 260 për qind. Kjo është një rritje mbresëlënëse. Por më pak e tillë kur merret parasysh edhe zhvlerësimi i rublës.

Vlera javore e rublave që konvertohen në Bitcoin ishte rreth 28 milionë dollarë javën e kaluar, krahasuar me rreth 14 milionë dollarë në mesin e muajit shkurt. Kjo është një rritje në masën 100 për qind. Në terma globalë, ajo përbën ende një përqindje e vogël të parave që konvertohen në Bitcoin. Sipas ofruesit të të dhënave të kriptomonedhave Kaiko, çdo javë në Bitcoin shpenzohen 20-40 miliardë dollarë. Pra, tregtia Bitcoin-rubla përfaqëson më pak se 0.14 për qind të totalit.

Madhësia e vogël e transaksioneve

Ndërkohë është e rëndësishme të merret parasysh edhe numri i llogarive dhe madhësia e transaksioneve mesatare. Sipas Glassnode, një tjetër shërbim i të dhënave mbi kriptomonedhat, numri i llogarive ruse të Bitcoin është rritur nga 39.9 në 40.7 milionë që nga nisja e pushtimit. (Popullsia ruse është rreth 144 milionë banorë).

Madhësia mesatare ditore e çdo transaksioni Bitcoin-rubla, bazuar në të dhënat nga tregu më i madh në Rusi i kriptomonedhave, Binance, është rritur në 580 dollarë deri në mesin e shkurtit. Kjo shumë është e vogël nëse krahasohet me vlerën mesatare të transaksioneve amerikane, që është 2.198 dollarë për të njëjtën periudhë.

Kapaciteti për të përdorur sasi të mëdha rublash përmes shkëmbimeve në kriptomonedha që operojnë në Rusi, është shumë i kufizuar për shkak të likuiditetit relativisht të ulët në tregun rus të kriptomonedhave. Dhe me likuiditet kuptojmë lehtësinë me të cilën një aset apo vlerë – në këtë rast Bitcoin – mund të konvertohet me paranë tradicionale, pa ndikuar në çmimin e tij të tregut.

Kur një treg ka më shumë blerës dhe shitës, bëhet më i lehtë realizimi i një transaksioni dhe aq më pak ndikim ka mbi kursin e këmbimit. Me më pak blerës dhe shitës, është më e vështirë. Një masë e likuiditetit të shkëmbimeve ruse të Bitcoin është vlera e porosive të dorëzuara nga blerësit dhe shitësit në çdo kohë të caktuar.

Kjo është rreth 200.000 dollarë amerikanë, krahasuar me 22 milionë dollarë për shkëmbimet në kriptomonedha në SHBA, një vëllim 110 herë më i madh. Këto statistika sugjerojnë se kushdo që dëshiron të tregtojë vëllime të mëdha të Bitcoin kundrejt rublës do të hasë shumë vështirësi.

Investitorët e vegjël

Kësisoj, të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e rritjes së volumit në tregtimin e kriptomonedhave ruse, dominohet nga investitorët e vegjël. Ka shumë të ngjarë që Putini dhe miqtë e tij të përdorin qindra ose mijëra llogari për të kryer shumë transaksione në shkallë të vogël për të zhvendosur pasurinë e tyre.

Por ka më shumë gjasa që pasuria e tyre të investohet kryesisht përmes kompanive guackë në vende si Monako, Ishujt e Virgjër Britanikë, Irlanda apo edhe Delauer në SHBA. Ka pak argumente kundër strategjisë së përdorimit të sanksioneve ekonomike për të luftuar regjimet rebele. Përveç ndërhyrjes së drejtpërdrejtë ushtarake, ka pak armë të tjera domethënëse në dispozicion. Por paraprakisht nevojitet një analizë e detajuar e çdo sanksioni të propozuar në mënyrë që të mos mbivlerësohet efektiviteti i tij i mundshëm.

Shënim: Dr.Paul Mazzola, pedagog i bankingut dhe financës në Universitin Wollongong. Mitchell Goroch, tregtar dhe studiues i kriptomonedhave, Universiteti Wollongong