Mjeku infeksionist Gent Stroni në një intervistë në ABC News me gazetaren Juli Xhokaxhi deklaroi se nuk jemi ende në kushtet e lëshimit të fashave orare apo lirimit të masave.
Sipas Stronit, situata pandemike varet shumë edhe nga qytetarët të cilët duhet të ruajnë në mënyrë strikte rregullat e për distancimin social.
Më tej Stroni theksoi se edhe kur të kemi përmirësim të situatës përsëri duhet të jemi vigjilent e të tregohemi të kujdesshëm ndaj koronavirusit.
Biseda e plotë:
Juli Xhokaxhi: Duket se ka një shifër jo të rregullt të shifrave të të infektuarve në vend. Si e shpjegoni këtë fakt?
Gent Stroni: Për të shpjeguar atë që sapo thatë jemi në kuadër të platos, do kemi raste të ulje-ngritje të rasteve të reja. Do pretendojmë se kemi kaluar në një situatë të përmirësuar nëse kalojmë mbi një muaj duke mos shënuar asnjë rast të ri.
Juli Xhokaxhi: Çfarë ndodh me vatrat e reja?
Gent Stroni: Ndoshta duhet parë nga epidemiologët për tu hetuar situata. Ne nuk mund të themi në këto momente se Covidi u zhduk nga sipërfaqja e Shqipërisë. Rrjedhimisht raste të reja mund të kemi. Ajo që duhet të kemi kujdes është fakti që nëse kontaktet janë zero. Ne po dëgjojmë që për distancimin social nuk respektohen masat, sic mund të përmendim rastin e restorantit në Elbasan. Ne duhet të bëjmë një punë të madhe me veten. Kur themi duhet të qëndrojmë në shtëpi duhet të qëndrojmë në shtëpi, nuk është gjë e mirë ta humbim luftën në momentin e fundit.
Ne jemi në mes të kësaj lufte. Nëse Wuhan ishte krahina e parë ku lindi kjo pandemi, ende sot vijon të ketë raste të reja, tashmë të kontrolluara, çfarë do të thotë se situata do të zgjasë në një periudhë relativisht të gjatë. Edhe kur të mos kemi asnjë rast me koronavirus përsëri duhet të jemi të kujdesshëm.
Juli Xhokaxhi: Ka një paralajmërim se do të ketë një zgjatje të orareve javën që vjen? A janë në kohën e duhur këto lëshime? A na rrezikon kjo?
Gent Stroni: Unë mendoj ndryshe nga task-forca. Rastet që shoh në spital janë rastet serioze ekstreme ndërsa task-forca bën një shikim të situatës në të gjitha planet.
A është ky momenti i duhur për lirimin e gjendjes? Në këndvështrimin tim jo. Në këtë luftë kemi gjeneralë, ushtarë kolonelë që bëjnë punën e tyre. Është task-forca ajo që ka në dorë menaxhimin dhe vendos nëse do lirohen masat ose jo.
Juli Xhokaxhi: Si është gjendja shëndetësore në spitalin infektiv? Patët disa ditë frymëmarrje.
Gent Stroni: E larmishme sepse ka persona që kanë simptoma të lehta, të mesme por edhe të rënda. Kjo varet nga persona të ndryshëm, sepse kemi patur persona që i kanë shfaqur të treja gjendjet. Kemi parë se në ditën e 4-5 deri në ditën e 8 të që pacientët pësojnë ndryshime të simptomave, lehtësohen ose agravohen.
Juli Xhokaxhi: A mundet një njeri i shëndetshëm ta pësojë nga kjo sëmundje?
Gent Stroni: Në këndvështrimin tonë, në spitalin tonë çfarë shohim, pacientët që kanë qenë seriozisht të rrezikuar apo që kanë humbur jetën kanë patur komplikacione të tjera shëndetësore.
Juli Xhokaxhi: Keni krijuar eksperiencë tashmë, a janë pasojat aq të rënda sic raportohet apo mund të shpresojmë se virusi po humbet rezistencë?
Gent Stroni: Ne eksperienca na vjen e gatshme nga vendet e tjera fatmirësisht. Parë në këndvështrimin se a është rënduar apo jo, do bjeri apo jo virulenca, deri në këto momente nuk mund të themi se ky virus erdhi më pak rezistent apo më shumë. Nuk mund të bazohemi diku për të nxjerrë të tillë përfundim.
Juli Xhokaxhi: Me ritmet që jemi deri tani, a mund të shpresojmë se fundi i prillit do na gjejë më të qetë?
Gent Stroni: Shpresat janë të mëdha. Nëse ne do i bazoheshim 2 ditëve më parapara, kjo ishte shumë shpresëdhënëse por siç e shohim kemi ashilacione. Në këndvështrimin tim fatmirësisht çfarë është pozitive mbetet fakti që në spital ne kemi raste të kontrolluara të pacienteve./abcnews.al