Raporti i “Save The Children”: Shqipëria e fundit në rajon për mbrojtjen e fëmijëve

schedule11:03 - 1 Qershor, 2018

schedule 11:03 - 1 Qershor, 2018

Shqipëria renditet e 77-ta ndër 175 vende të botës, sa i takon respektimit të lirive dhe të drejtave të fëmijëve. Sipas një raporti të “Save the Children”, vendi ynë klasifikohet i fundit në rajon.

Organizata Save the Children publikoi në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, raportin “Shumë Fëmijë të Përjashtuar”, ku Shqipëria renditet në vendin 77 nga 175 vende të vlerësuara në gjithë botën.

Sipas këtij raporti, Shqipëria është vendi me vdekshmërinë foshnjore më të lartë në rajon, me mbi 13 vdekje për 1 mijë lindje.

Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajon edhe për vonesën në rritjen e fëmijëve, 23.1 përqind e fëmijëve 0-5 vjeç.

Afro 8.5 % e fëmijëve shqiptarë janë jashtë sistemit arsimor të ulët dhe të mesëm. Ndërsa rreth 5.1 përqind e tyre janë përfshirë në punë të rënda. Raporti i Save the Children tregon se në vendin tonë 6.5 përqind e adoleshentëve janë të martuara ose në bashkejetesë ndersa rreth 22 % e tyre kanë lindur fëmijë.

Bazuar në këto indikatorë, Shqipëria ka renditjen më të ulët krahasuar me vendet e rajonit: Bosnja dhe Hercegovina ndodhet në vendin e 39, Serbia në vendin e 46, Mali i Zi në vendin 53, Maqedonia në vendin e 66 dhe Shqipëria në vendin 77.

“Save the Children” i bëri thirrje qeverisë të sigurojë që asnjë fëmijë të mos vdesë nga shkaqe të parandalueshme ose të trajtueshme apo t’i nënshtrohet dhunës.

Më shumë se një miliard fëmijë jetojnë në vende të prekura nga varfëria, thekson raporti i “Save the Children”. 240 milionë jetojnë në vende të prekura nga konflikti dhe më shumë se 575 milionë fëmijë jetojnë në vende, ku diskriminimi i vajzave është çështje serioze./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!