Nga Juxhin Mustafaraj
Partia Demokratike ishte në shok pasi u njoh me rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, kur Lulzim Basha doli përpara shqiptarëve me një zotim.
Si të mos mjaftonte humbja në zgjedhje, demokratët marrin goditjen e dytë, këtë herë nga SHBA.
Përpara kutive ku votohej për kreun e PD, Berisha paralajmëroi Bashën për të mos shkuar larg me vendimin e tij.
Por amerikanët ishin të vendosur.
Një ditë para se të rikthehej në Parlament, Basha mori vendimin.
I prerë në besë nga kreu i PD, Berisha foli për një vendimmarrje të dakordësuar.
Nga ajo seancë Berisha nuk u shfaq më në Parlament, por doli në bazë me demokratët për të thirrur një Kuvend për shkarkimin e Bashës, ndonëse ky i fundit ja bëri të qartë.
Në 17 takime, Sali Berisha arriti të bind demokratët për të mbledhur Kuvendin Kombëtar.
I bindur se lidershipi i PD do të përdorte forcën e kartonave në kryesi, Berisha përmes bashkëpunëtorëve të tij, firmat i depozitoi në zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Pa mundësinë për të kontrolluar vërtetësinë e firmave për Bashën nuk do të ketë Kuvend.
Debati mes Bashës dhe Berishës është i gjithi i përqëndruar në pikën 2 të nenit 43 të statutit të PD.
“2. Kuvendi Kombëtar mblidhet si rregull çdo katër vjet. Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia e PDSH-së, me propozim të Kryetarit të PDSH-së. Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të PDSH-së ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar”.
Për ish-kryeministrin Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij për aq kohë sa firmat e delegatëve të Kuvendit janë mbledhur, lidershipi i PD nuk ka të drejtë t’i kalojë ato në vendimarrje, por duhet të nise procedurat e mbledhjes së Kuvendit. Nga ana tjetër, Lulzim Basha pretendimet e Berishës për mbledhjen e firmave i cilëson një bllof. Nën sfidën për t’i paraqitur formularët në zyrën e Sekretarit të Përgjitshëm, Basha ka bërë të qartë se selia blu nuk do të njohe një Kuevend të pa certifikuar përmes kontrollit të firmave.
I palëkundur në vendimin e tij, duket edhe Sali Berisha.
Me aksionet e nisura palët duket se do të ndjekin rrugë paralele që nuk do të bashkohen në 11 dhjetor, ditën e themelimit të PD, të cilën Berisha e ka zgjedhur për të mbajtur Kuvendin Kombëtar. Rrugët për të zgjidhur konfliktin për nenin 43 duket se janë vetëm dy, përballja në gjykatë ose përballja mes demokratëve në selinë blu. E sigurt është që Sali Berisha dhe Lulzim Basha kompromisin e kanë përjashtuar si fjalë në përballjen e tyre për drejtimin e PD./abcnews.al