Përballë një numri rekord të rasteve me Covid-19 , kryeministri holandez Mark Rutte pritet të shpallë masa të reja kufizuese gjatë ditës së sotme, siç është karantina e parë e pjesshme këtë dimër në Evropën Perëndimore.
Ndër masat e pritshme, të cilat do të hyjnë në fuqi në tre javët e ardhshme, baret, restorantet dhe dyqanet që nuk shesin gjërat e nevojshme duhet të mbyllen në orën 19:00 me orën lokale.
Ngjarjet publike do të ndalohen dhe ndeshjet e futbollit do të duhet të luhen me dyer të mbyllura, përfshirë ndeshjen e Kupës së Botës të javës së ardhshme midis Holandës dhe Norvegjisë, shtuan mediat. Sidoqoftë, shkollat do të qëndrojnë të hapura.
Rutte dhe Ministri i Shëndetësisë Hugo de Yone do të mbajnë një konferencë shtypi për të njoftuar masat, të cilat qeveria i përshkruan si “karantinë të pjesshme për të reduktuar shpejt numrin e rasteve”, sipas RTL.
Rastet e reja kaluan 16,000 sot për të dytën ditë radhazi. Të enjten, Holanda njoftoi 16.364 raste të reja me Covid, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 12.997 rastesh në dhjetor 2020. Vendi me 17 milionë banorë ka regjistruar 2.2 milionë raste dhe 18.612 vdekje që nga fillimi i pandemisë.
Spitalet kanë paralajmëruar se nuk do të mund ta kalojnë dimrin në kushtet aktuale. Piku i Covid-it është regjistruar pavarësisht se 82% e holandezëve mbi moshën 12 vjeç janë vaksinuar plotësisht.
Të pavaksinuarit përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve në reanimacion (69%) dhe në spitale (55%) , por si arsye konsiderohet edhe ulja e efektivitetit të vaksinave, veçanërisht tek të moshuarit. g.v/abcnews.al