Gazetari i “ABC”, Ermal Vija zbulon detaje të reja nga dosja e SPAK-ut kundër biznesmenit Rezart Taçi, i cili është shpallur në kërkim për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal. Në skemë janë katër italianë dhe dy bashkëpunëtorë të Taçit.
Dy njerëzit e tij të besuar në skemën kriminale janë kunati Artur Balla dhe ish-shoqëruesi i tij, Bledar Lilo, të cilat janë arrestuar. Artur Balla, kunati i Rezart Taçit është djali i ish-gjyqtares së Tiranës Dhurata Balla.
Balla dhe Lilo drejtoheshin nga Taçi për të kryer transaksionet e mbi 18 mln eurove të katër italianëve në Shqipëri për t’i kaluar në shtete të tjera. Për cdo transaksion dy njerëzit e besuar të Taçit përfitonin shpërblimet. Ish-bosi i naftës vijon që të jetë në kërkim.
Në vitet e fundit, prej 2013 kur Tatimet i bllokuan “ARMO”-n, Taçi ka qenë shpeshherë në qendër të vëmendjes për hetimet në Shqipëri dhe Zvicër. Tashmë do të përballet sërish me drejtësinë. SPAK bllokoi mbi 18 milionë euro dhe vazhdon hetimet me autoritetet italiane.
Si funksiononte skema?
SPAK deklaron se nga hetimet e nisura këtë vit në bashkëpunim me autoritetet italiane kanë zbuluar organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.
Skema financiare është drejtuar nga dy italianët Francesco Zummo dhe I.Z., në bashkëpunim me një tjetër italian Fabio Petruzzella të zviceranit me origjinë italiane Daniele Castagalli si dhe të biznesmenit shqiptar Rezart Taçi i përfshirë në biznese në sektorin e naftës. SPAK thotë se Taçi në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar dy bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, Artur Balla dhe Bledar Lilo.
Po cili ishte qëllimi?
Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shqiptarëve të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht sipas SPAK-ut dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht.
Po sipas SPAK-ut gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera./ db/Abcnews.al