Një çift bashkëshortësh mbetën të vrarë, nga bashkëjetuesi i vajzës së tyre, i cili i dha fund edhe jetës. Krimi i rëndë u shënua në zonën e Unazës së Re, në Tiranë, në banesën private të Bujar Mataj 63 vjeç dhe Xhevahire Mataj 59 vjeçe.
Një krim i rëndë në familje tronditi mëngjesin e së hënës kryeqytetin. Vrasja e trefishtë ndodhi në zonën e Unazës së Re, ku Majlind Lila, 52 vjeç qëlloi për vdekje me armë zjarri prindërit e ish-bashkëjetueses së tij, Bujar Mataj, 63 vjeç dhe Xhevahire (Valentina) Mataj 59 vjeç. Lila me orgjinë nga Burreli, pasi iu bllokua arma e krimit, qëlloi veten me thikë e më pas u gjet i pajetë në oborrin e banesës së çiftit të marrë me qira në rrugën “Kristaq Mone”.
Autori prej disa vitesh bashkëjetonte me Nevilën, vajzën e çiftit të ekzekutuar me tre plumba. Nga ajo marrëdhënie, ata kanë edhe një vajzë të mitur. Fqinjët shprehen të tmerruar dhe sipas tyre viktimat ishin njerëz të urtë dhe punëtorë.
Prej disa kohësh Majlindi dhe Nevila 36-vjeçe kishin emigruar në Suedi, për të kërkuar azil. Prindërit e vajzës ka qenë kundër kësaj marrëdhënieje, ndërsa Nevila aktualisht ndodhet në Suedi. Ata nuk kishin bërë celebrim, por sipas uniformave blu, autori i krimit 52-vjeçari Lila e kishte njohur atësinë e vajzës së tij në gjendje civile. Lila fajësonte prindërit e Nevilës, Bujar e Xhevahire Mataj me origjinë nga Korça, për ndarjen nga vajza e tyre. Pikërisht ky konflikt dyshohet të jetë edhe motivi i krimit.
Ngjarja e rëndë ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shkak të “vrasjes në rrethana familjare”. Ky është krimi i dytë i ndodhur në familje gjatë 2 javëve të para të Janarit, ku në Mallakastër, burri vrau gruan dhe kunatën, pas një konflikti të çastit./abcnews.al