Pacientët e pavaksinuar në Singapor do të duhet t’i paguajnë vetë faturat e tyre mjekësore nga muaji i ardhshëm, në rast se infektohen me COVID.
Kështu ka vendosur qeveria e këtij vendi. Aktualisht qeveria i mbulon kostot e trajtimit të banorëve të Singaporit dhe të atyre që kanë pasaporta me afat të gjatë, përveç atyre që kanë dalë pozitiv menjëherë pas kthimit nga udhëtimi në vendet e huaja.
Ministri i Shëndetësisë, Ong Ye Kung, tha se vendimi i qeverisë për të mos e paguar koston e trajtimit të personave të pavaksinuar është një sinjal i rëndësishëm për ata që ende po refuzojnë që ta marrin vaksinën, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
“Personat e pavaksinuar përbëjnë një shumicë të konsiderueshme të atyre që kërkojnë kujdes intensiv dhe në mënyrë disproporcionale kontribuojnë në presionin ndaj burimeve tona të kujdesit shëndetësor”, tha Ministria e Shëndetësisë.
Masa e re vlen vetëm për personat që vendosin që të mos e marrin vaksinën, pavarësisht se në aspektin mjekësor i plotësojnë kushtet dhe që janë hospitalizuar ose që janë në qendra të trajtimit për Covid-19 më 8 dhjetor e më vonë.
Në shpjegimin e vendimit të saj, MSH tha se njerëzit e pavaksinuar kontribuojnë në mënyrë disproporcionale në tendosjen në sistemin e kujdesit shëndetësor të Singaporit, sepse ata përfaqësojnë shumicën e pacientëve që kanë nevojë për kujdes intensiv për COVID-19.
Fëmijët që janë nën 12 vjeç dhe ata që nuk e bëjnë vaksinën për arsye shëndetësore do t’i kenë ende faturat e tyre të mbuluara nga autoritetet.