Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka dalë kundër vendimit të kryedemokratit Lulzim Basha për zgjedhje të reja për kreun e FRPD. Në një deklaratë për gazetarët, Këlliçi deklaroi se vendimi i Bashës është nul duke paralajmëruar se do të marrë pjesë në “Foltoret” e ish-kreut të PD Sali Berisha.
“Vendimi është nul. Nuk mund ta fusim një organizatë partnere të PDSH në një konflikt të brendshëm. Ne këtë proces nuk e njohim dhe në momentin ku do piqen kushtet në PD për të pasur një proces real, jemi të gatshëm të bëjmë më të mirë.
Çdo shtëpi ka themelet e saj. Themelet e PD janë te FRPD. Jam krenar që në forum ka përplasje idesh dhe vendimet merren me votë dhe me shumicë votash. Kemi persona që janë diplomuar në universitetet më të mira të botës në FRPD dhe do keni mundësi t’i njihni në ditët në vazhdim”, tha Këlliçi.
Sekretari i FRPD-së, Grigels Mucollari e cilësoi vendimin e Bashës një hakmarrje për firmosjen e delegatëve dhe pjesëmarrjen e Këlliçit në “Foltoren” e Berishës.
“Dua të shprehem që ky veprim vjen pas firmosjes për mbledhjen e kuvendit. Vjen menjëherë pasi kryetari ynë ka marrë pjesë te Foltorja. I bëj thirrje kryetarit në detyrë Basha që nuk do lejojmë asnjë intimidim. Nuk do lejojmë të shkelë statutin dhe rregullat. I bëjmë thirrje të tërheqë njoftimin që ka bërë. E konsiderojmë një akt uzurpimi dhe hakmarrje ndaj FRPD. Statuti përcakton se zgjedhjet caktohen nga kryesia e FRPD. Nuk intimidohemi nga veprime të ulëta” u shpreh ai. m.v/Abcnews.al