30 Qershori u vulos, Patozi: Fundi i pritshëm i një marrëzie politike

schedule17:20 - 4 Nëntor, 2021

schedule 17:20 - 4 Nëntor, 2021

Sot Gjykata Kushtetuese vendoi që të vulosë zgjedhjet lokale të 30 Qershorit 2019 duke i legjitimuar. Trupa e gjyqtarëve vendosi që të rrëzonte dy kërkesat në padinë e Shoqatës së Bashkive me kryetare Voltana Ademin.

Zgjedhjet sipas gjykatës janë legjitime dhe po ashtu rrëzoi pretendimin në padi për verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.

Ish-drejtuesi i Bindjes Demokratike Astrit Patozi ka reaguar pas vendimit të gjykatës Kushtetuese duke e cilësuar të pritshëm fundin e “marrëzisë politike”.

Fundi i pritshëm i një marrëzie politike, gjatë kohës kur “Foltorja” dhe vulëmbajtësit e partisë mendonin dhe vepronin njësoj. Një aventurë e rrezikshme, e cila përfundoi me një kosto shumë të lartë për të gjithë opozitën, por veçanërisht për Partinë Demokratike.

Do të habitesha shumë, nëse dikush nga palët ndërluftuese do të shprehte sot pendesë apo reflektim, pas vendimit të së vetmes gjykatë në Shqipëri, e cila, të paktën deri tani, nuk konsiderohet ende si e kapur nga pushteti. E cila, në fakt, nuk ka bërë ndonjë gjë më shumë, se sa ka përkthyer fermanin e ashpër dhe të qartë të Komisionit të Venecias.

Një provë e tërthortë se sot nuk po kacafyten për parime apo për marrje përgjegjësish ndaj dëmeve serioze që i kanë shkaktuar kauzave opozitare, por thjesht dhe vetëm për pronësinë e Partisë Demokratike.

Tani e kanë të mbyllur një herë e përgjithmonë atë shteg. Sepse e kanë të shkruar si në pllakë të varrit, se jo vetëm nuk mund ta përsërisin më atë eksperiment të çmendur, por as nuk mund të guxojnë ta çojnë atë nëpër mend” mbyllet reagimi./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!