Nxori në pritë shokun e fëmijërisë për ta ekzekutuar, dënohet Mikel Alia, përfiton nga gjykimi i shkurtuar

schedule10:20 - 3 Nëntor, 2021

schedule 10:20 - 3 Nëntor, 2021

Është dënuar me 32 vite burg 42-vjeçari Mikel (Gjovalin) Alia, i cili akuzohet se në tetor të vitit 2019 nxori në pritë shokun e tij të fëmijërisë, Eri Zefi i cili u ekzekutua me armë zjarri.

Ndaj Aliajt është pranuar gjykimi i shkurtuar dhe duke përfituar nga ulja e 1/3 të dënimit,  Alia do të vuaj 21 vite e 4 muaj burg .

Alia rezultoi i përfshirë në vrasje referuar tabulateve telefonike mes tij dhe viktimës. Prokuroria e Lezhës në atë kohë, dërgoi dy letërporosi në drejtim të autoriteteve policore të Kosovës, ku u kërkuan të dhëna për hyrje-daljet e dy personave që dyshohen si autorë të ekzekutimit të 34 vjeçarit Eri Zefi dhe më pas nëpërmjet Kosovës janë larguar drejt Gjermanisë.

Sipas hetuesve, ata janë dy të afërm të familjes Ndreca, familje me të cilën kishte hasmëri familja Zefi.  Viktima Eri Zefi u gjet i vdekur në Zalle Xhuxhë të Mirditës, ndërsa më parë ishte dhunuar dhe më pas ai ishte zhvendosur disa metra larg nga Rruga e Kombit ku është qëlluar për vdekje me 6 plumba. /abcnews.al/