SPAK akuzon zyrtarisht kryebashkiakun e Mallakastrës, do merret i pandehur nga GJKKO

schedule16:12 - 1 Nëntor, 2021

schedule 16:12 - 1 Nëntor, 2021

Pas kallëzimit të PD, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ka përfunduar hetimet për kryebashkiakun socialist të Mallakastrës, Qerim Ismailaj. Në njoftimin e SPAK thuhet se pas hetimeve është vërtetuar akuza ndaj tij për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, ku parashikohet një dënim deri në 4 vjet burgim.

SPAK e dërgon dosjen për gjykim në GJKKO për Qerim Ismailajn i cili do të merret i pandehur për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, më datë 07.09.2021, ka regjistruar procedimin penal me Nr.236/2021, në ngarkim të shtetasit Qerim Ismailaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, si i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal. Në kuadër të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe në përfundim është konkluduar se shtetasi Qerim Ismailaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190, paragrafi i parë i Kodit Penal, e për rrjedhojë, i është komunikuar akuza, është marrë me cilësinë e të pandehurit dhe janë përfunduar hetimet.

Sot me datë 01.11.2021 nga Prokuroria e Posaçme është dërguar kërkesa për gjykimin e çështjes pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të të pandehurit Qerim Ismailaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal“, thuhet në njoftimin e SPAK.

Lexo edhe: Falsifikoi formularin e dekriminalizimit, PD kallëzon në SPAK Qerim Ismailajn

Prokuroria i nisi hetimet vitin e kaluar pas denoncimit të Partisë Demokratike, që pretendonte se Ismailaj ka qenë i dënuar për plagosje me dashje në një ngjarje të ndodhur në Shkurt të vitit 2000. Qerim Ismailaj, i dalë kryebashkiak nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019 ,u akuzua nga PD përmes Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Gazment Bardhi se ai ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit pasi ka qenë i dënuar në Greqi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!