Janari shënoi edhe rifillimin e protestave të studentëve. Mirëpo Mustafa Nano është ndalur te një banderolë në Korpusin qendror. Në monologun e tij në emisionin “Provokacija”, Nano theksoi se ata që e kanë shkruar janë studentë mendjembyllur, që jetojnë pranë paranojave të prindërve të tyre.
Mustafa Nano: “Në ekran mund të shihni një banderolë të madhe të varur në fasadën e Korpusit qendror të Universitetit të Tiranës, ku thuhet në stilin e parrullave bolshevike: “Rroftë rinia e lirë”. Dhe më pas: “Fundi i Katovicës; sot vendosim ne”. Me siguri, e kanë varur studentët. Dhe po ua them të fundit në fillim: e kanë kompozuar studentë mendjembyllur e mendjevarfër, që nuk jetojnë dot larg paranojave të prindërve të tyre. Ka më shumë se dy dekada që këndohet ky avaz, i cili rreket të na bëjë me dije se, dikur andej nga viti 1987, kur u duk se koha e komunizmit po perëndonte, në Katovicë janë mbledhur udhëheqësit e vendeve të Lindjes dhe atje paskan vendosur të inskenojnë dorëzimin e pushtetit politik, por duke mbajtur atë ekonomik. Sikur të ish bërë një mbledhje e tillë, nuk do të ishte çudi, pasi duket logjik si komplot. Por puna është se nuk ka patur një mbledhje të tillë. Dhe ata që i mbahen këtij pretendimi thjesht duan të zhveshin prej fajit vetveten. Dhe të bëjnë sikur nuk e kuptojnë se gjithçka ka ndodhur në tridhjetë vitet e fundit, ka ndodhur prej nesh.
Nuk ka asnjë provë që të ketë patur një përbetim ndërkombëtar në Katovicë. Dhe nëse dikush e ka një provë, duhet të na e japë. “Po prova nuk ka”, të thonë, “pasi ajo ka qenë një mbledhje sekrete; po të kishte prova, ç’u pa pastaj? ajo nuk do ishte më sekrete”. Ou? Po ju si e paskeni marrë vesh para se ta merrnin vesh të gjithë akadamikët e strategjistët e botës? Apo u mjafton ajo që paska thënë Ramis Alia në një mbledhje të Byrosë politike për të gënjyer leshkot e nomenklaturës? Kjo nuk është provë. Nëse është provë, është provë për të kundërtën, provë pra se Ramis Alia e ka shpikur atë material për të justifikuar te të vetët dorëzimin e pushtetit e për të shpëtuar kokën. Ndërsa katocivistët duhet të gjejnë një provë tjetër, një dokument, të cilit t’i jetë referuar një studjues serioz, qoftë dhe një studjues i vetëm. Dhe ngaqë nuk e gjejnë dot, ata të hidhen në fyt kur u vë në dyshim paranojën e tyre. Dhe na thonë neve që dyshojmë: Si është e mundur që dyshoni? Mbi ç’bazë dyshoni? Ata janë bërë si ata besimtarët që u thonë ateistëve: Hë, na jepni një provë që Zoti nuk ekziston! Gallatë e madhe”!
Ai ka një thirrje për studentët. Ose këta të fundit t’i dalin zot vendit, ose të kthehen në auditore pasi shkrime të tilla sia to të varura në Korspusin e Universitetit të Tiranës nuk i hyjnë në punë askujt.
Mustafa Nano: “Për ta mbyllur, po kthehem te studentët! Të dashur studentë, lërini këto lexime të përcipta e përtace të historisë që janë të denja për prindërit tuaj, demokratë e socialistë. Edhe sikur të ishin të vërteta, nuk do na hynin në punë. Këtu gjërat janë të thjeshta. Një shoqëri e tërë ka treguar për tridhjetë vjet me radhë se është e paaftë të organizojë zgjedhje të lira, të ndërtojë institucione të besueshme publike, të mbajë nën kontroll të zgjedhurit, t’u kërkojë llogari këtyre të fundit për keqadministrimin e pasurisë publike, thënë me fjalë të tjera, t’i dalë zot vendit, të sotmes dhe të ardhmes së tij. Jeni të aftë që, në ndryshim nga prindërit tuaj, t’i dilni zot vendit? Nëse po, demonstrojeni. Nëse jo, kthehuni në auditorë. Ju keni nevojë të mësoni”!/abcnews.al