Analistë të huaj shprehen të bindur se ndryshimi i kufijve në Ballkan nuk mund të realizohet pa luftë. Opinionet jepen në një analize të Deutsche Velles.
Ndryshimet e kufijve dhe krijimi i shteteve të mëdha në Ballkan nuk janë të mundura pa luftë, mendojnë analistët në Sarajevë. Në një analizë për Deutsche Vellen ata shprehen edhe për krahasimet mes Kosovës dhe Republikës Srpska.
Autoritetet serbe kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i cili tha se “kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë është hequr sipas parimit të Shengenit”. Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin tha se kjo është një përpjekje për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, e cila sipas tij, “nuk mund të krijohet pa konflikte në mbarë Ballkanin, e jo vetëm me Serbinë“. Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic akuzoi autoritetet në Prishtinë për “cënimin e stabilitetit rajonal”. Ajo shfrytëzoi rastin për të krahasuar Kosovën me Republikën Srpska në Bosnjë-Hercegovinë.
Menjëherë pas këtyre deklaratave kanë reaguar edhe autoritetet në Sarajevë. Anëtari kroat i Presidencës së B-H, Zhelko Komshic tha se “kufijtë e B-H nuk mund të kontestohen në asnjë mënyrë, pavarësisht se çfarë ndodh mes Kosovës dhe Shqipërisë“. Ndërsa anëtari boshnjak, Shefik Xhaferovic pohon se përpjekjet për cënimin e integritetit territorial apo ndryshimet e kufijve, “nuk do të kontestonin ekzitencën e B-H, por do të cënonin paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit, sepse kjo do t’i jepte fund Marrëveshjes së Dejtonit, pra edhe strukturave të brendshme etnike të B-H”.
Bashkëkryetari i Iniciativës së Igmanit për Serbi, Aleksandar Popov, në një deklaratë për Deutsche Vellen rikujton tezat e diplomatit dhe gjeopolitologut britanik Timothy Less, i cili thoshte se pa krijimin e një “Serbie të madhe”, “Shqipërie të madhe” dhe “Kroacie të madhe”, nuk do të ketë paqe në Ballkan. Ai mendon se këta skenarë nuk janë të mundur pa luftëra të reja.
Analisti politik në Sarajevë Almir Terzic mendon se krahasimet mes Kosovës dhe B-H, respektivisht Republikë Serbska si pjesë e B-H dhe Kosovës, janë një përpjekje e liderëve serbë që qytetarët e tyre në Serbi t’i bindin se ata nuk janë humbësit më të mëdhenj të territoreve në Ballkan dhe se Beogradi ende ka çfarë të thotë jashtë territorit të Serbisë.
Ndryshimet, respektivisht “korrigjimet” e kufijve në Ballkan, nuk kanë pasur mbështetje në BE dhe në SHBA, që nga koha e viteve 90-të – ndonëse disa analistë thonë se Uashingtoni ka qenë i gatshëm të mbështesë parimin e korrigjimit të kufijve në kuadër të normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës. Por shumica e vendeve anëtare të BE mendon se ndryshimi i kufijve sipas parimeve etnike mund të shkaktojë konflikte të reja dhe dhunë. Ekspertët thonë se ndryshimet e këtilla të kufijve do të ishin një projekt i cili do të rezultonte me “reaksione zinxhir”.