Rusia po e ndërton versionin e saj të Starlink-ut – plejadën e satelitëve të Elon Muskut në orbitë të ulët të Tokës, i cili mund të ofrojë qasje të shpejtë në internet kudo në botë.
Deri në fillim të këtij viti, Ukraina dhe Rusia e përdornin Starlink-un për komandim dhe kontroll në terren, si dhe për drejtimin e dronëve të ngarkuar me eksplozivë drejt shënjestrave të tyre, qindra kilometra larg.
Në shkurt, Starlink-u ndërpreu qasjen për terminalet në Ukrainë, me përjashtim të atyre që ishin në një listë të bardhë të miratuar nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës. Suksesi i Rusisë në fushëbetejë pësoi rënie menjëherë: numri i sulmeve të ndërmarra nga forcat e Moskës ra, ndërsa një raport i Pentagonit e lidhi rimarrjen e qindra kilometrave katrorë territor në fillim të këtij viti nga Ukraina me humbjen e komunikimeve satelitore nga Rusia.
Një kanal i njohur në Telegram, që mbështet pushtimin e Ukrainës, tha se humbja e Starlink-ut “i kthen komunikimet dhe komandimin e kontrollin në fushëbetejë të Forcave të Armatosura Ruse disa vjet prapa, te teknologjitë e vjetra që shumëkush tashmë i kishte harruar: interneti me kabllo, Wi-Fi dhe komunikimet radio”.
Shumica e sistemeve tradicionale të komunikimit ushtarak janë projektuar kryesisht për zë, thotë Jakub Janovsky, analist në Oryx, një organizatë që ndjek humbjet e pajisjeve ushtarake. Kjo i bën ato të papërshtatshme për fushëbetejën moderne, ku vëllime të mëdha të të dhënave, si transmetimet video nga dronët, duhet të shkëmbehen vazhdimisht.
“Pikërisht për këtë arsye Starlink-u dhe sistemet e ngjashme janë praktikisht të domosdoshme për ushtrinë”, tha Janovsky për REL-in.
Si funksionojnë komunikimet satelitore?
Sa më lart të jetë një satelit në orbitë, aq më e madhe është sipërfaqja që ai mund ta mbulojë në tokë.
Kompromisi që bëhet është vonesa: koha që i duhet të dhënave për të udhëtuar nga një pajisje në tokë te sateliti dhe anasjelltas. Për një satelit që transmeton një film drejt një pjate të lidhur me televizorin, kjo nuk ka shumë rëndësi, por për një operator droni që merr vendime në kohë reale, lidhja e ngadaltë mund të nënkuptojë humbjen e objektivit.
Për të siguruar vonesa të vogla, satelitët që ofrojnë komunikime të shpejta për internet fluturojnë relativisht ulët. Një pjesë e madhe e plejadës Rassvet-3 të Rusisë, e zhvilluar nga kompania ruse e hapësirës ajrore Bureau 1440, aktualisht ndodhet në orbitë rreth 500 kilometra mbi Tokë, megjithëse lartësia e planifikuar është 800 kilometra.
Ndërkohë, satelitët televizivë shpesh ndodhen në orbitë gjeostacionare – që do të thotë se qëndrojnë të fiksuar mbi të njëjtën pikë të Tokës ndërsa ajo rrotullohet – rreth 36.000 kilometra mbi sipërfaqe.
Nga ana tjetër, satelitët që fluturojnë më ulët nuk përputhen me shpejtësinë e rrotullimit të Tokës dhe nuk qëndrojnë të fiksuar mbi të njëjtën pikë në tokë. Kjo do të thotë se një satelit i vetëm mund të ofrojë vetëm një dritare të shkurtër lidhjeje mbi një zonë të caktuar ndërsa kalon mbi të. Që plejada të ofrojë komunikim të vazhdueshëm, nevojiten mjaftueshëm satelitë në mënyrë që një ose më shumë prej tyre të jenë gjithmonë mbi atë pikë.
Kjo do të thotë se plejada ekzistuese është e mjaftueshme vetëm për të ofruar dritare të kufizuara komunikimi për forcat ruse në Ukrainë. Deri tani, terminalet Rassvet nuk janë gjetur në dronë ose raketa ruse.
Problemi i Moskës
Bureau 1440 lëshoi tre satelitët e parë, Rassvet-1, në qershor të vitit 2023, duke i testuar me sukses në hapësirë.
Grupi i radhës, i përbërë nga tre satelitë Rassvet-2, u lëshua në maj të vitit 2024 dhe menjëherë arriti lartësinë e synuar prej 800 kilometrash, duke testuar me sukses transmetimin e të dhënave mes tyre dhe me Tokën.
Gjërat nuk kanë shkuar aq mirë për grupet e para të satelitëve Rassvet-3, të cilët nuk janë më versione testuese. Fillimisht ishte planifikuar që në vitin 2025 të lëshoheshin 16 satelitë, por kjo u shty deri në mars të këtij viti. Pasi u dërguan në një lartësi prej rreth 300 kilometrash nga një raketë, satelitët duhej të përdornin energjinë e tyre për t’u ngjitur në 800 kilometra.
Deri tani, asnjëri prej tyre nuk e ka arritur këtë lartësi: njëri filloi të zbriste dhe u dogj në atmosferë, 13 janë në orbitë në lartësinë 510 kilometra dhe dy ndodhen në rreth 360 kilometra.
Disa analistë besojnë se Bureau 1440 vendosi t’i mbajë satelitët përgjithmonë në një lartësi më të ulët se ajo e planifikuar fillimisht, për shkak të problemeve me motorët e tyre. Edhe pse kjo ka gjasa të ndikojë deri diku në sipërfaqen që secili satelit mund të mbulojë në mënyrë efektive, kjo nuk do të thotë se ata nuk janë të përshtatshëm për qëllimin e tyre: edhe Starlink-u ka ulur lartësitë orbitale të shumë prej satelitëve të tij me kalimin e kohës.
Grupi i dytë dhe më i fundit prej 16 satelitësh u lëshua në korrik dhe përballet me probleme të ngjashme: 13 prej tyre po ngjiten me ritme të ngjashme me grupin e parë, por tre kanë zbritur në lartësi prej 300 kilometrash ose më pak dhe mund të mos punojnë.
Derisa humbja e një përqindjeje të caktuar të satelitëve është normale, me prototipet e hershme të Starlink-ut që, sipas raportimeve, kishin norma dështimi deri në 13 për qind, eksperti i hapësirës Anatoly Zak beson se niveli i dështimeve të përjetuara nga Rassvet është “shumë i dhimbshëm” dhe “ndoshta afër nivelit të papranueshëm”.
Plane të mëdha, afate të kufizuara
Bureau 1440 ka paraqitur dy plane të mundshme në Bashkimin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), agjencia e OKB-së që koordinon përdorimin e radio-frekuencave dhe orbitave satelitore.
Sipas njërit prej planeve, kompania do të kishte 292 satelitë në orbitë në një lartësi prej 800 kilometrash, ndërsa plani tjetër parashikon gjithsej 1.350 satelitë Rassvet në një lartësi prej 600 kilometrash.
Zak thotë se kompania nuk ka gjasa të jetë në gjendje ta përmbushë synimin prej 292 satelitësh deri në fund të vitit 2027, shifër që përmendet më së shpeshti nga zyrtarët rusë, dhe se vendosja e afateve jorealiste është praktikë e zakonshme në industrinë hapësinore ruse.
Sipas Janovskyt, në skenarin më optimist kompania mund të ketë mjaftueshëm satelitë për të siguruar komunikim të pandërprerë mbi Ukrainën deri në vitin 2028, por vonesat mund të bëjnë që kjo të zgjasë deri në vitin 2030.
Një problem edhe më i madh?
Terminalet tokësore mund të jenë një problem edhe më i madh.
SpaceX ka prodhuar dhe shitur miliona terminale Starlink, ndërsa sistemi Rassvet i Rusisë pritet të nisë operacionet komerciale në vitin 2027 dhe ende nuk ka prova publike për prodhim të terminaleve në shkallë të gjerë.
Analistët argumentojnë se terminalet mund të bëhen pengesë kryesore. Antenat e tyre me grupim fazor janë të kushtueshme dhe Rusisë i mungon baza e nevojshme e komponentëve, që do të thotë se disa pjesë mund të duhet të vijnë nga Kina.
Për shkak se satelitët Rassvet janë të vendosur më rrallë dhe operojnë më larg Tokës sesa satelitët Starlink, terminalet e tyre mund të duhet të jenë gjithashtu më të mëdha, më të rënda dhe më të fuqishme, duke i bërë më pak të përshtatshme për dronët dhe më të vështira për t’u furnizuar në numrat e mëdhenj që do t’i nevojiteshin ushtrisë ruse.
Një shënjestër e re për Ukrainën
Një plejadë e vendosur plotësisht do të kërkojë infrastrukturën e vet të kontrollit nga toka.
Ukraina ka goditur vazhdimisht qendrën ruse të komunikimeve satelitore në Dubna, pranë Moskës, ndërsa në gusht dronët ukrainas u drejtuan për në kozmodromin Plesetsk, përpara një lëshimi të planifikuar. Sipas Zakut, Plesetsk ishte sulmuar më parë edhe gjatë lëshimeve të tjera, përfshirë lëshimin në mars të grupit të parë të satelitëve Rassvet-3.
Ukraina ka goditur gjithashtu Qendrën Hapësinore dhe Raketore Progress, një uzinë e përfshirë në prodhimin e raketave Soyuz, të cilat kanë transportuar satelitët Rassvet në orbitë.
Vetë satelitët varen gjithashtu nga një zinxhir i gjerë furnizimi industrial dhe disa komponentë kritikë mund të vijnë vetëm nga një numër i vogël prodhuesish. Zaku përmend kompaninë OKB Fakel, me bazë në Kaliningrad, prodhuese të sistemeve të shtytjes për anijet kozmike, si një prej furnizuesve të mundshëm të motorëve të nevojshëm për manovrimin e satelitëve dhe mbajtjen e tyre në orbitat e synuara. Rusia ka zgjeruar prodhimin e motorëve për anije kozmike në këtë uzinë.
Kjo e vë Rusinë përballë një sfide që shkon shumë përtej dërgimit të një numri të mjaftueshëm satelitësh në hapësirë.
Rassvet do të ketë gjithashtu nevojë për mjete lëshimi, stacione tokësore, terminale, komponentë të specializuar dhe fabrika të afta t’i prodhojnë ato në shkallë të gjerë – një zinxhir në të cilin ndërprerja në një numër relativisht të vogël pikash mund ta ngadalësojë zgjerimin e plejadës.
Shkatërrimi i shënjestrave ku montohen vetë satelitët do të ishte gjithashtu teknikisht i mundur, thotë Janovsky. Rusia mund të përgjigjet duke e zhvendosur prodhimin më larg, përtej rrezes së dronëve ukrainas, shton ai, por ngritja e linjave të reja të prodhimit do të kërkonte kohë.
Në një luftë ku qasja në Starlink ka treguar tashmë se sa shpejt komunikimet satelitore mund të ndikojnë në fushëbetejë, gara për të ndërtuar alternativën ruse mund të zhvillohet gjithnjë e më shumë në tokë, si dhe në orbitë./REL

