Më 29 nëntor, në Festën e Çlirimit, do të hapet Rruga e Arbërit. Lajmin e dha Kryeministri Rama në Parlament, duke e marrë këtë projekt si shembull përse sipas tij Partneriteti Publik Privat është në të mirë të qytetarëve. Gjatë fjalës së tij në Kuvend kreu i PD Lulzim Basha nuk i ka kursyer akuzat, duke thënë se “Rruga e Arbërit” ka kushtuar 3 herë më shumë se ç’duhej.
“Nga 120 milion që ka qenë rruga e Arbrit ka shkuar në 360 milionë dhe ke kurajon e vjen e na krenohesh këtu. Pse paguan 240 milion euro më shumë, 3 herë më shumë për projektin e Arberit dhe na flet për befasi tektonike, gjeologjike. Është hajdutëri me çizme është babëzi. Pra ky maskarallëk ky borxh i fshehur nga ato të shëndetësisë të mafies janë vendet ku ndodhen paratë e shqiptarëve, ska nevojë për shkencë dhe as për tigra prej letre. Mjafton të silleni si kryefamiljare“.
Gjatë fjalës së tij Basha i ka bërë thirrje deputetëve të maxhorancës që të mbështesin dhe të votojnë nismën për vettingun e politikanëve. Nga foltorja e Kuvendit, lideri demokrat tha se propozimi i PD-së është në përputhje me raportet e Komisionit të Venecias.
“Ju po merrni borxh për të mbuluar borxhet. I keni për të mbyllur gropat që keni hapur këto vite. Ju morët në punë 12 mijë patronazhistë, vetëm si qokë elektorale që sot i kushtojnë 117 mln euro më shumë. Ju duket pak?! Duhet ta besoni se në duart e qytetarëve janë shumë. Kam ndërmend që të merrem me çirakun, duke qenë se ustai ia mbathi. Mund të rri këtu gjithë ditën për të treguar se ku t’i gjeni paratë, por qytetarët mund të pyesin; si nuk u ngopët?! Nëse propozimi ynë për uljen e TVSh për produktet e shportës mund të zbusë disi krizën, zgjidhja afatgjate është heqja e një tjetër takse, taksa e korrupsionit. Një gangrenë që vjedh çdo shqiptar. Lërini dënglat e atij që e di fare mirë se propozimi ynë është në përputhje me komisionin e Venecias, merrni kurajon dhe votoni vettingun e politikanëve.”, tha Basha. be.k/abcnews.al