Studentët e Universiteteve Publike të Shqipërisë kanë lajmëruar rinisjen e protestave që fillojnë të hënën e 7 janarit në orën 8 të mëngjesit. Lajmi është shpërndarë në rrjetet sociale përmes një posteri me thirrjen për t’ju bashkuar protestës studentore, e cila duket se vjen me katër kërkesa të riformuluara pas lëvizjes së kreut të qeverisë Edi Rama, të pagëzuar me emrin “pakti për universitetin”.
Ky i fundit për shefin e qeverisë ka marrë formë përmes 12 VKM-ve dhe 4 urdhërave të muajit dhjetor, që pretendon se adresojnë kërkesat e studentëve. Por këta të fundit janë shprehur se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar aspak, duke theksuar se në thelb të adresimit të shqetësimeve të studentëve qëndron pikërisht anulimi i Ligjit për arsimin e lartë, ligj ky që kreu i qeverisë Rama e ka mbrojtur me fanatizëm si një ligj i mirë, edhe pse ende i pazbatuar.
Përgjysmimi i tarifave në të gjitha nivelet e studimit, rritja me 50% e peshës së votës studentore, dyfishimi i buxhetit të shtetit për universitetet publike dhe ndalimi i financimit nga buxheti i shtetit të universiteteve private duket se janë katër kërkesat e studentëve nën devizën “studentët e bashkuar kanë për të fituar”. /abcnews.al