Google lejon të miturit dhe prindërit e tyre të fshijnë fotot e tyre nga rezultatet e kërkimit si pjesë e iniciativave të saj për të mbrojtur më mirë përdoruesit e rinj të platformës së saj. Siç njoftoi kompania, ajo është duke krijuar një mekanizëm që lejon prindërit dhe fëmijët nën moshën 18 vjeç të kërkojnë heqjen e fotove nga kërkimi.
Deri më tani, Google ka lejuar këdo që të kërkojë heqjen e informacioneve personale dhe fotove nga kërkimi, në rastin e atyre që i përkasin kategorive si “të papërshtatshme, pa pëlqim” ose “identitet, informacion mjekësor, të dhëna financiare”. Tashmë në kategoritë që mund të hiqen shtohen edhe fotot e të miturve.
“Ne e dimë se fëmijët dhe adoleshentët duhet të përballen me disa sfida unike në internet, veçanërisht kur një foto e tyre është e disponueshme papritur” shkroi Google. “Ne besojmë se ky ndryshim do të ndihmojë t’u japë të rinjve më shumë kontroll mbi gjurmën e tyre dixhitale dhe ku mund të gjenden fotografitë e tyre në kërkim”.
Formulari i krijuar nga Google lejon përdoruesin të tregojë URL-të ose rezultatet e kërkimit në të cilat shfaqen fotot që dëshiron të fshijë. Ekipi i Google do të shqyrtojë çdo kërkesë dhe do të kërkojë informacion shtesë aty ku nevojitet.
Google njoftoi në gusht se po forcon masat mbrojtëse për fëmijët dhe adoleshentët. Për shembull, YouTube , i cili është në pronësi të Google, u tregon të gjithë përdoruesve të moshës 13 deri në 17 vjeç mesazhe që u kujtojnë atyre të “bëjnë një pushim” nga interneti ose se është koha për të fjetur./ Abcnews.al