Europa nën “darën” e të ftohtit

schedule11:47 - 6 Janar, 2019

schedule 11:47 - 6 Janar, 2019

Stuhia e dëborës që ka përfshirë Europën ka shkaktuar viktima dhe probleme në mbarë kontinentin e vjetër. Vendet më të prekura kanë qenë Gjermania dhe Austria, por vala e të ftohtit nuk ka kursyer as vende tradicionalisht të ngrohta si Greqia dhe Italia e jugut.

Dëbora e dendur që ka përfshirë Europën në ditët e fundit ka krijuar probleme të shumta, si aksidente, vonesa dhe viktima. Në Greqi, një grua 66-vjeçare u gjet e vdekur në afërsi të Athinës pasi akulli dhe ngricat përfshinë një pjesë të vendit, ku 2 persona konsiderohen të humbur. Temperaturat në veri dhe në qendër të Greqisë qëndruan nën zero gradë gjatë ditëve të fundit. Jugu i Gjermanisë, Austria dhe Zvicra rezultuan vendet më të prekura, ku shtresa e dëborës në disa zona shkoi mbi 20 centimetra. Në Austri qindra turistë mbetën të bllokuar në fshatrat malorë, njëri prej të cilëve u evakuua nga frika e një orteku. Gjithashtu, në vend u regjistruan një sërë incidentesh rrugore me të paktën dy viktima. Një tjetër pjesë e Europës e prekur nga reshje të pazakonta dëbore ishte edhe jugu i Italisë. Dëbora e dendur ra në rajonin e Pulias, ku plazhet u mbuluan nga pëlhura e bardhë, duke dhuruar një spektakël të rrallë për banorët. Gjithashtu, në Napoli temperaturat arritën në nivele me të cilat qytetarët nuk janë mësuar. Ndërkohë, në ditët e ardhshme meteorologët parashikojnë që një stuhi edhe më e fuqishme dëbore të përfshijë kontinentin e vjetër. Edhe pse do të jetë më e theksuar në veri, meteorologët paralajmërojnë se vala e akullnajës do të prekë edhe rajonin e Ballkanit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!