Urimet për ndërrimin e viteve u kanë shërbyer liderëve botërorë të bëjnë lëvizjet e fundit gjeo-politike për 2018-n. Kështu, Vladimir Putin i ka dërguar një letër Donald Trump ku shprehet i hapur për dialog, ndërsa presidenti amerikan ka patur një bisedë telefonike me homologun kinez.
Presidenti rus Vladimir Putin, në një letër dërguar homologut amerikan Donald Trump me rastin e fundvitit, shprehet se Moska është e gatshme për të dialoguar me Uashingtonin për shumë çështje. Sipas zyrës së shtypit të Kremlinit, Putin theksoi se marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Rusi janë faktori kyç për garantimin e një sigurie të qëndrueshme dhe afatgjatë në rrafshin ndërkombëtar. Vetëm muajin e kaluar, Trump anuloi papritur një takim të planifikuar me Putin në kuadër të samitit të G20-s në Argjentinë, për shkak të tensioneve në detin e Zi mes marinës ruse dhe asaj ukrainase. Megjithatë, presidenti rus konfirmoi se është i hapur për dialog dhe për një axhendë më gjithëpërfshirëse se më parë. Putin u ka dërguar urimet e tij për ndërrimin e viteve edhe liderëve të tjerë botërorë si kryeministres britanike Theresa May, atij japonez Shinzo Abe, si dhe presidentit kinez Xi Jinping. Nga ana e tij, Trump nuk ka reaguar për letrën e Putin, por ka bërë me dije se ka zhvilluar një bisedë telefonike të gjatë dhe pozitive me homologun kinez Xi Jinping, në lidhje me marrëdhëniet tregtare. “Po ecim përpara. Nëse marrëveshja arrihet, ajo do të jetë shumë gjithëpërfshirëse dhe do të mbulojë pikat e përplasjes sonë. Progres i madh po arrihet”, ka komentuar Trump në Twitter. /abcnews.al