56-vjeçari i aksidentuar për vdekje rreth orës 22:30 të mbrëmjen së djeshme në dalje të qytetit të Beratit mësohet se sapo kishte dalë nga puna nga një fasoneri që ndodhet përgjatë aksit nacional Berat-Dimal.
Mësohet se mjeti që e ka goditur dhe është larguar nga vendngjarja ka qenë një Fuoristradë e zezë, e cila pas goditjes e ka tërhequr disa metra zvarrë viktimën 56-vjeçare.
Viktima Artur Abazaj ishte përpjekur të kalonte rrugën përgjatë vijave të bardha, kur është goditur nga një mjet që udhëtonte me shpejtësi në drejtim të Beratit dhe-sipas dëshmitarëve në vendngjarje-mjeti e ka tërhequr 56-vjeçarin disa metra zvarrë dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Policia e Beratit ka kryer edhe kqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe ka pyetur edhe dëshmitarët që sapo kishin dalë nga puna në momentet që u godit për vdekje Abazaj, ndërkohë që janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të një biznesi përgjatë rrugës, i vetmi në këtë zonë me kamera sigurie.
Nga kamerat e sigurisë që nuk kanë fushëpamje të vendit të aksidentit por një kënd tjetër vihet re fuoristrada e zezë që largohet me shpejtësi nga vendngjarja, 2 sekonda pasi ka goditur për vdekje dhe ka tërhequr zvarrë 56-vjeçarin.
Edhe pse nëpërmjet kamerave të sigurisë nuk duket qartë tipi i mjetit dhe targat e tij, burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se janë duke punuar për zbardhjen e pamjeve dhe identifikimin e mjetit dhe drejtuesit të tij. /abcnews.al/