Drejtuesi i lëvizjes “Mjaft”: Berisha tentoi të vriste shoqërinë civile, Rama e dinte fuqinë e saj

schedule21:56 - 19 Tetor, 2021

schedule 21:56 - 19 Tetor, 2021

Aldo Merkoçi, drejtuesi i lëvizjes “Mjaft” deklaroi në “Log.” në ABC se është i gabuar perceptimin për individët që katapultohen nga shoqëria civile në politikë. Ai u shpreh se tentativa për vrasje të shoqërisë civile nisin me qeverinë Berisha duke kujtuar lëvizjen e tij për largimin e qeverisë, paralelisht me protestat e lëvizjes “Mjaft”.

“Kush e krijon perceptimin e njerëzve. Sepse ti thua e njoh Lali Erin, nuk ka ndonjë gjë të keqe të shkosh nga shoqëria civile në politikë. Unë mendoj se shoqëria civile nuk ka për të vdekur kurrë.

Tentativa për vrasje të shoqërisë civile ka filluar që me qeverinë e parë Berisha. Ajo është qeveria e parë që ishte përfituese e ngritjes së zërit të shoqërisë civile. Në këtë rast ishte “Mjaft”, njësoj me “Nano ik”, u shpreh Merkoçi.

Ai deklaroi se edhe Rama ishte përfitues i nismave të shoqërisë civile, por nënvizoi se avantazhi i tij me opozitën sot ishte fakti që nuk u përzie me protestën e tyre, pasi sipas tij, Rama e dinte se shoqëria civile ka më tepër fuqi se një parti politike.

“Mjaft” kishte një synim të parë, që të gjithë të protestojnë për të drejtat e tyre. Korrupsioni lidhet direkt me jetën e njerëzve. Faza e dytë është të mobilizojmë njerëzit jo vetëm rreth organizatave.

Prandaj dhe shoqëria civile nuk përfaqësohet vetëm nga organizatat. Edhe Rama ishte përfitues nga shoqëria civile. Ai nuk interferoi nga aksionet politike që bënte shoqëria civile. Sepse e kuptonte që një parti politike nuk e kishte atë fuqi që kishte shoqëria civile”, deklaroi ai. m.v/Abcnews.al