Analisti Mentor Nazarko bëri një paralelizëm të situatës politike në Kosovë me atë në Shqipëri duke krahasuar realitetin politik në LDK me PD-në në Shqipëri sa i përket rotacionit të drejtuesve politikë.
Nazarko u shpreh në “Log.” në ABC se ajo që po ndodh në LDK duhet të jetë pasqyrë për PD-në duke marrë shembullin e Isa Mustafës i cili ia pasoi drejtimin e partisë Lumir Abdixhikut për t’u tërhequr plotësisht nga funksionet drejtuese.
“Zonja Osmani është më afër Amerikës se Kurti. Por në pikëpamje të gjykimit është edhe më ekstreme se Kurti. Ajo nuk ka treguar, lista e saj nuk ka treguar të kishte kandidatë të vetët. Kosova tregoi që organizon zgjedhjet më mirë.
Nxori rezultatet edhe më shpejt se Maqedonia. Ajo që po ndodh në LDK është një pasqyrë pozitive për PD. Isa Mustafa ia ka dorëzuar partinë Lumir Abdixhikut. Babai politik që solli prurje. Ky tranzicion pushteti u zhvillua pa polemikë. Ajo që unë e shoh të rëndësishme është që LDK po kthehet në aks rugovist, pro perëndimor”, u shpreh Nazarko.
Ai i referohet situatës së krijuar nga PD, ku pas 8 vitesh, ish-kryetari Sali Berisha deklaron të hapur mundësinë për t’u rikthyer në krye të partisë, në shenjë hakmarrje ndaj Bashës i cili e përjashtoi nga PD, pas shpalljes non-grata nga SHBA. m.v/Abcnews.al