“Rrahmani e ka fituar me meritë vendin e titullarit”, Spalleti lëvdata mbrojtësit të Kosovës

schedule11:05 - 18 Tetor, 2021

schedule 11:05 - 18 Tetor, 2021

Napoli është skuadra e vetme në kampionatin italian që ka arritur të sigurojë 8 fitore në po kaq ndeshje të luajtura që nga fillimi i sezonit, duke bërë një start përfekt.

Skuadra e udhëhequr nga trajneri italian Luciano Spalletti ka mposhtur Torinon me rezultat minimal 1-0.

Në këtë përballje titullar ishte edhe mbrojtësi i Kosovës Amir Rrahmani, i cili ka treguar një formë fantastike duke fituar kështu edhe besimin e trajnerit Spalleti.

Paraqitjet e mira në çdo ndeshje kanë bërë që  Rrahmani të jetë një titular i rëndësishëm për skuadrën e Napolit.

Forma e treguar nga mbrojtësi i Kosovës ka gëzuar pa masë trajnerin e napoletanëve i cili pas ndeshjes me Torinën është shprehur për Rrahmanin se ai ka fituar gjithçka me meritë, prandaj është pjesë e 11-shes së skuadrës.

“Rrahmani është një lojtar që e ka fituar me meritë vendin e titullarit. Është një lojtar me nivel të lartë. Amiri është një mbrojtës i kompletuar, është e vështirë të gjesh anën e dobët të tij sepse ai ka pozicionim të mirë, fizik, ndikim në lojë dhe është një djalë i disponueshëm në çdo rast”, deklaroi trajneri italian.

Rrahmani këtë edicion ka zhvilluar gjashtë ndeshje me Napolin mes kampionatit dhe Ligës së Evropës ku ka shënuar edhe dy gola. /abcnews.al